“Reuters”: Uashingtoni e Venezuela në bisedime për ta eksportuar naftën venezuelase në ShBA
Zyrtarë venezuelas e amerikanë janë duke e diskutuar eksportimin e naftës së papërpunuar të Venezuelës në Shtetet e Bashkuara, i thanë të martën agjencisë së lajmeve “Reuters” pesë burime qeveritare, industriale e transportuese.
Rafineritë amerikane në bregdetin e Gjirit të Meksikës mund ta përpunojnë naftën e papërpunuar venezuelase dhe e kanë importuar atë në të kaluarën, para se Uashingtoni t’i vendoste sanksione Venezuelës, raporton kjo agjenci, pa dhënë hollësi të tjera.
Venezuela ka miliona fuçi nafte të papërpunuar që është ngarkuar në anije transportuese që nuk ka arritur t’i dërgojë për shkak të një bllokade ndaj eksporteve që ishte vendosur muajin e kaluar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Një marrëveshje e mundshme për ta shitur naftën e papërpunuar të bllokuar te rafineritë amerikane do ta devojonte atë nga Kina, e cila ka qenë blerësja më e madhe e naftës venezuelase në dekadën e fundit dhe sidomos që nga koha kur ShBA-ja u vendosi sanksione kompanive të përfshira në tregtinë e naftës me Venezuelën më 2020.
Kompania shtetërore venezuelase e naftës, PDVSA, tashmë është detyruar që ta zvogëlojë prodhimin për shkak të embargos, sepse po mbetej pa hapësirë për ta ruajtur naftën. Nëse kjo kompani nuk gjen ndonjë mënyrë së shpejti për ta eksportuar naftën, do të detyrohet që ta zvogëlojë edhe më shumë prodhimin, tha njëri nga burimet.
Shtëpia e Bardhë, zyrtarë të Qeverisë së Venezuelës dhe kompania PDVSA nuk komentuan menjëherë./Nacionale