“Reuters”: Siria bëri veprim të vullnetit të mirë ndaj Izraelit për ta fituar besimin e Trumpit
Udhëheqësia e Sirisë e ka miratuar dorëzimin e gjësendeve të spiunit të vdekur para një kohe të gjatë, Eli Cohen, në Izrael në përpjekje për ta lehtësuar armiqësinë me vendin fqinj dhe për të dëshmuar vullnet të mirë para presidentit amerikan, Donald Trump, i thanë tri burime agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Izraeli të dielën e njoftoi kthimin e një grumbulli dokumentesh, fotografish dhe gjësendeve personale që lidhen me Cohenin, duke thënë se agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad, kishte punuar me një agjenci të huaj të inteligjencës për t’i siguruar materialet.
Megjithatë, një burim sirian i sigurisë, një këshilltar i presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa dhe një person i afërt me bisedimet sekrete mes dy vendeve tha se arkivi i materialeve në të vërtetë iu ofrua Izraelit si gjest i tërthortë nga Sharaa, përderisa ai po mundohet që t’i ulë tensionet dhe ta fitojë besimin e Trumpit.
Coheni, i cili ishte varur më 1965 në qendër të Damaskut për shkak të infiltrimit në elitën politike të Sirisë, në Izrael ende cilësohet hero dhe spiuni më i respektuar i Mossadit për shkak të zbulimit të sekreteve ushtarake që e kishin ndihmuar fitoren e shpejtë në Luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Të dielën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përshkroi Cohenin si legjendë dhe “agjenti më i madh i inteligjencës në analet e shtetit”.
Përderisa Izraeli për një kohë të gjatë është munduar që ta kthejë trupin e tij për rivarrim në atdhe, kthimi i arkivit që ishte mbajtur për 60 vjet nga inteligjenca siriane u cilësua nga Mossadi si “një arritje e rendit më të lartë moral”.
Izraeli nuk ka zbuluar publikisht se si e ka siguruar arkivin e Cohenit, duke thënë vetëm që një gjë e tillë ishte rezultat i “një operacioni të fshehtë e kompleks të Mossadit, në bashkëpunim me një shërbim të huaj aleat të inteligjencës”.
Zyra e Netanyahut, zyrtarët sirianë dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment rreth rolit të Sirisë në kthimin e arkivit të Cohenit në Izrael.
Burimi sirian i sigurisë tha se Sharaa e kishte kuptuar se arkivi i Cohenit është i rëndësishëm për izraelitët dhe kthimi i tij në atdhe do të mund të përbënte gjest domethënës diplomatik.
Përfundimi i sulmeve izraelite ndaj Sirisë dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara e me vende të tjera perëndimore janë jetike për Sharaan, derisa ai po synon që ta rimëkëmbë vendin e vet të shkatërruar nga lufta civile 14-vjeçare, thekson agjencia “Reuters”./Nacionale