Reuters: ShBA-ja i ka caktuar afat Evropës për ta udhëhequr mbrojtjen e NATO-s nga viti 2027 - NACIONALE

Reuters: ShBA-ja i ka caktuar afat Evropës për ta udhëhequr mbrojtjen e NATO-s nga viti 2027

9 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtetet e Bashkuara duan që Evropa t’i marrë përsipër shumicën e kapaciteteve të mbrojtjes konvencionale të NATO-s, nga inteligjenca deri te raketat, nga viti 2027, u thanë këtë javë diplomatëve në Uashington disa zyrtarë të Pentagonit. Ky afat i shkurtër nga disa zyrtarë evropianë u cilësua jorealist.

Kjo porosi, e rrëfyer nga pesë burime të afërta me diskutimet, përfshirë një zyrtar amerikan, u përçua në një takim në Uashington këtë javë mes stafit të Pentagonit që e mbikëqyr politikën e NATO-s dhe disa delegacioneve evropiane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ndryshimi i kësaj barre nga Shtetet e Bashkuara tek anëtarët evropianë të aleancës do ta ndryshonte në masë dramatike mënyrën se si Uashingtoni punon me partnerët e vet më të rëndësishëm ushtarakë.

Në takim, zyrtarët e Pentagonit lanë të kuptohej se Uashingtoni ende nuk ishte i kënaqur me hapat që i ka bërë Evropa për t’i përforcuar kapacitetet e veta të mbrojtjes që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

Zyrtarët amerikanë iu thanë homologëve të tyre se nëse Evropa nuk e respekton afatin e vitit 2027, Shtetet e Bashkuara mund ta ndërpresin pjesëmarrjen në disa mekanizma mbrojtës të bashkërendimit në NATO, thanë burimet, të cilat kërkuan të mbeteshin anonime për të folur rreth bisedave private.

Disa zyrtarë në Capitol Hill janë të vetëdijshëm dhe të shqetësuar për porosinë e Pentagonit drejtuar evropianëve, tha një zyrtar amerikan.

Kapacitetet konvencionale të mbrojtjes përfshijnë asete jobërthamore, nga ushtarët te armët, dhe zyrtarët nuk shpjeguan se si Shtetet e Bashkuara do ta matnin progresin e Evropës drejt marrjes së shumicës së barrës.

Gjithashtu, nuk ishte e qartë nëse afati i vitit 2027 e përfaqëson pozicionin e administratës së presidentit Donald Trump apo vetëm pikëpamjet e disa zyrtarëve të Pentagonit. Në Uashington ekzistojnë mosmarrëveshje domethënëse rreth rolit ushtarak që ShBA-ja duhet ta luajë në Evropë.

Disa zyrtarë evropianë thanë se afati i vitit 2027 nuk është realist, pavarësisht se si do ta maste Uashingtoni progresin, pasi Evropës i nevojiten më shumë gjëra sesa vetëm paratë dhe vullneti politik për të zëvendësuar kapacitete të caktuara amerikane në rrafshin afatshkurtër.

Lajme të ngjashme