“Reuters”: Ja çfarë përfitoi Turqia nga shtyrja e hyrjes së Suedisë në NATO - NACIONALE

“Reuters”: Ja çfarë përfitoi Turqia nga shtyrja e hyrjes së Suedisë në NATO

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një komision parlamentar turk pritet që të enjten të debatojë dhe, me gjasë, ta miratojë aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO. Edhe pse fillimisht kishte paraqitur ankesa edhe për Finlandën, Ankaraja e kishte dhënë dritën e gjelbër për pranimin e këtij shteti në aleancën e fuqishme ushtarake. Çfarë përfitoi Turqia nga shtyrja e ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë?

Turqia e ratifikoi anëtarësimin e Finlandës në NATO në prill, por bashkë me Hungarinë e ka lënë Suedinë në pritje, duke kërkuar që Stokholmi të ndërmarrë hapa për t’i shtypur përmes sistemit gjyqësor ata që Ankaraja i sheh si terroristë, raporton agjencia“Reuters”.

Suedia, Finlanda, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera të NATO-s kanë bërë disa hapa për t’i trajtuar shqetësimet e Turqisë, duke i shënuar ato që disa analistë thonë se janë fitore gjeopolitike për presidentin turk, Rexhep Erdogan, edhe pse ai i ka tensionuar marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin.

Çka kanë bërë Suedia e Finlanda?

Në një takim të NATO-s në Madrid vitin e kaluar, Turqia arriti një marrëveshje me Suedinë dhe Finlandën në të cilën këto vende u pajtuan për heqjen e embargos së armëve dhe ndërmarrjen e masave kundër anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe lëvizjes së Fetullah Gylenit, të cilin Ankaraja e fajëson për tentativën e dështuar për puç më 2016.

Vitin e kaluar, Stokholmi e shfuqizoi ndalimin e eksportimit të pajisjeve ushtarake në Turqi, pa i zbuluar hollësitë e kompanive apo të produkteve që përfshihen në këtë vendim.

Në qershor, Suedia paraqiti një projektligj të ri kundër terrorizmit, që e bën të paligshme anëtarësinë në një organizatë terroriste.

Muajve të fundit, një gjykatë e lartë suedeze e bllokoi ekstradimin e dy turqve që Ankaraja i cilëson gylenistë, ndërsa një gjykatë apeli e mbajti në fuqi vendimin për dënimin e një burri për përpjekje për ta financuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila gjithashtu cilësohet organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara.

Për më tepër, si reagim ndaj kritikave në Turqi e në shtete të tjera me shumicë myslimane, ministri i Drejtësisë i Suedisë, Gunnar Strommer, tha se vendi i tij ishte duke ekzaminuar nëse mund ta ndryshojë ligjin për t’ua ndaluar njerëzve djegien e Kuranit në publik.

Finlanda, në anën tjetër, vitin e kaluar u pajtua që ta shqyrtonte dhënien e lejeve për eksportim të armëve në Turqi, duke e trajtuar secilin rast një nga një. Pas gati një viti pritje, Ankaraja tha se Helsinki e ka fituar dritën e gjelbër të saj.

Çka kanë bërë vendet e tjera të NATO-s?

Kur Erdogani dha shenjë në një konferencë të NATO-s në korrik se Suedia në fund do ta merrte dritën e gjelbër, anëtarja e aleancës, Kanadaja, u pajtua heshtas rifillimin e bisedimeve me Turqinë për shfuqizimin e kontrolleve të eksportit për pjesë të dronëve, përfshirë pajisjet optike.

Holanda, anëtare tjetër e NATO-s, i largoi kufizimet për dërgimin e armëve në Turqi.

Në korrik, pas një takimi mes udhëheqësve turq e suedezë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se aleanca do të emëronte një bashkërendues të posaçëm për kundër-terrorizëm. Në tetor, ai e emëroi në këtë pozitë asistentin e sekretarit të Përgjithshëm, Thomas Goffus.

Leja për Suedinë për aeroplanë F-16?

Si hije e diskutimeve ka qenë edhe çështja e miratimit të kërkesës së Ankarasë nga Uashingtoni për blerjen e aeroplanëve luftarakë të tipit F-16 dhe 79 pakove të modernizimit me vlerë të 20 miliardë dollarëve.

Një ditë pas dhënies së dritës së gjelbër për Suedinë nga Erdogani në korrik, Shtëpia e Bardhë tha se do të ecte tutje rreth shitjes së këtyre aeroplanëve në Turqi, në konsultime me Kongresin.

Në tetor, Erdogani e dërgoi aplikimin e Suedisë për NATO në Kuvendin e Turqisë për shqyrtim, por ai ka thënë se Uashingtoni po e lidh miratimin e shitjes së aeroplanëve me ratifikimin e hyrjes së Suedisë në NATO nga Ankaraja.

Sipas analistëve, lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza mund t’i tensionojë marrëdhëniet ShBA – Turqi dhe mund ta ndërlikojë zgjerimin e NATO-s.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme