Vjen “dhurata” për Turqinë, ShBA-ja e mbështet shitjen e aeroplanëve F-16 pa kushte
Presidenti amerikan, Joe Biden, e mbështet shitjen e aeroplanëve luftarakë të tipit F-16 Turqisë pa “paralajmërime ose kushte”- tha të martën këshilltari për siguri kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, pak para samitit të NATO-s në Lituani.
Bideni ka qenë “i qartë dhe pa mëdyshje” në përkrahjen e tij për këtë veprim “dhe ai synon që të lëvizë përpara me atë transferim në konsultim me Kongresin”- tha Sullivani, raporton televizioni CNN.
Njoftimi nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën se Turqia është pajtuar që ta përkrahë anëtarësimin e Suedisë në aleancë paraqet fitore të madhe për Bidenin, i cili vazhdimisht kishte shprehur besim se Stokholmi do të bëhet pjesë e familjes së fuqishme ushtarake në samitin e Vilniusit pavarësisht nga kundërshtimi i Turqisë.
Në një intervistë me televizionin CNN para samitit të NATO-s, presidenti amerikan e përsëriti përkrahjen e tij për shitjen e aeroplanëve F-16 në Turqi, por dha shenjë se kjo do të jetë pjesë e një objektivi më të madh – për t’i forcuar kapacitetet ushtarake të NATO-s.
Sullivani tha të martën se administrata kishte qenë në kontakt me senatorin demokrat, Bob Mendez, i cili e udhëheq Komisionin e Senatit për Marrëdhënie të Jashtme dhe i cili ka bërë thirrje për ta bllokuar shitjen e aeroplanëve F-16 në Turqi për shkak të shqetësimit se Ankaraja do të mund t’i përdorte këta aeroplanë për ta frikësuar Greqinë fqinje.
