Finlanda merr pjesë në takimin e parë të NATO-s pas anëtarësimit
Pas ceremonisë së pranimit në aleancë më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm i Finlandës Pekka Haavisto ka marrë pjesë në takimin e parë të tryezës së rrumbullakët të NATO-s në Bruksel.
Haavisto është parë duke buzëqeshur dhe duke shtrënguar duart me liderët e tjerë të NATO-s, përpara se të zinte një vend në mes Estonisë dhe Francës.
Raportohet se shefi i aleancës Jens Stoltenberg ka hapur takimin duke thënë: “Më lejoni të filloj duke e mirëpritur Finlandën si anëtarin më të ri të aleancës sonë”, ndërsa komentet e tij janë pritur me duartokitje të gjata, më Haaviston duke buzëqeshur e duke falënderuar.
“Zoti Haavisto ju keni marrë pjesë në shumë takime, por kjo është hera e parë që uleni atje mes Francës dhe Estonisë. Është me të vërtetë një privilegj i madh që të kemi tani si një anëtar me të drejta të plota,”- është shprehur më tej Stoltenberg, duke kujtuar që edhe Suedia së shpejti do të jetë një anëtare e aleancës.
Kujtojmë se pranimi i Finlandës në NATO pothuajse e dyfishon gjatësinë e kufirit të aleancës me Rusinë. Moska tha të hënën se do t’i fuqizojë kapacitetet e saj ushtarake në rajonet e saj perëndimore dhe veriperëndimore si kundërpërgjigje ndaj anëtarësimit të Finlandës në NATO.
Ndërkohë, forcat mbrojtëse të Finlandës thanë se në hapësirën ajrore të vendit tashmë kanë filluar të qarkullojnë fluturimet vëzhguese të NATO-s nga forcat amerikane dhe të vendeve të tjera aleate.
Më 24 mars, komandantët e forcave ajrore nga Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Danimarka thanë se kanë nënshkruar një letër për krijimin e një mbrojtjeje të unifikuar nordike për t’iu kundërvënë rrezikut në rritje nga Rusia.
“Do të donim të shihnim nëse mund ta integrojmë më shumë vëzhgimin tonë të hapësirës ajrore, në mënyrë që të mund t’i përdorim të dhënat e radarëve nga sistemet vëzhguese të njëri-tjetrit dhe t’i përdorim ato kolektivisht”- është shprehur komandanti i forcave ajrore të Danimarkës, Jan Dam.
Dihet se Finlanda dhe Suedia kishin thënë se donin të anëtarësoheshin në NATO së bashku për ta shtuar sigurinë reciproke, por ky plan nuk funksionoi për shkak se Turqia nuk e ratifikoi anëtarësimin e Suedisë.
Diplomatët e NATO-s shpresojnë se Turqia do ta ndryshojë qëndrimin pas zgjedhjeve parlamentare të majit. Sekretari aleancës, Jens Stoltenberg, tha se ai beson që Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe se është prioritet i aleancës që kjo gjë të ndodh sa më shpejt që është e mundshme.

