Garë e ngushtë mes tri partive në Finlandë, Marin mund të mposhtet nga e djathta ekstreme
Katër vjet pasi ishte bërë kryeministrja më e re në botë, Sanna Marin e Finlandës ballafaqohet të dielën me betejën për të qëndruar në pushtet në një palë zgjedhje të paparashikueshme, të cilat mund t’i fitojë cilado prej tri partive kryesore.
Zonja Marin, tashmë 37 vjeçe, u bë kryetare e Partisë Socialdemokrate dhe kryeministre e vendit më 2019 dhe, prej asaj kohe, e ka udhëhequr Finlandën gjatë pandemisë së koronavirusit dhe e ka dërguar pranë anëtarësimit në NATO, raporton gazeta “The Guardian”.
Vendosmëria e saj për ta shijuar jetën sociale private kishte zënë vend në ballinat globale të gazetave. Përkrahësit e saj e shohin Marin-in si model për një gjeneratë të re të udhëheqësve, ndërsa kritikët besojnë se ajo është sjellë në mënyrë jo të duhur dhe të papërgjegjshme.
Në kohën kur vendi po ballafaqohet me rritje të inflacionit dhe shfaqje të mundshme të recesionit, kundërshtarët e saj nga e djathta e kanë akuzuar për marrje të tepër të borxhit publik dhe dështim për t’i kontrolluar shpenzimet publike. Sipas një sondazhi përfundimtar para zgjedhjeve, partia e kryeministres ka pak më pak përkrahje se dy rivalet kryesore.
Sipas sondazhit të kryer për transmetuesin publik, Yle, margjina e gabimit e të cilit është dy për qind, partia konservatore “Koalicioni Kombëtar” mori 19,8 për qind të përkrahjes, partia nacionaliste e së djathtës ekstreme, “Finns”, mori 19,5 për qind, ndërsa partia e kryeministres Marin 18,7 për qind.
“Në këtë fazë, askush nuk mund të dijë se në çfarë radhe do të përfundojnë të dielën tri partitë kryesore. Zor që ekziston një për qind dallim mes tyre. Mund të jetë secila prej tyre”- tha Jenni Karimaki, historiane e politikës në Universitetin e Helsinkit.
Sipas saj, kryeministrja Marin mbetet më e popullarizuar se udhëheqësit e tjerë dhe partia e vet. “Ajo është pasuri për SDP-në. Partia e kryeministres zakonisht vuan më shumë”- tha profesoresha Karimaki.

