“Reuters”: Gaza po mbetet pa ushqim të specializuar për shpëtimin e fëmijëve të kequshqyer
Gaza është buzë mbetjes pa ushqim të specializuar terapeutik që nevojitet për t’ua shpëtuar jetën fëmijëve që janë kequshqyer rëndë, thonë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë humanitare.
“Ne tani po ballafaqohemi me një situatë të rëndë, që po mbetemi pa furnizime terapeutike” – tha Salim Oweis, zëdhënës i UNICEF-it në Jordani, duke shtuar se dërgesat e ushqimit që njihet si RUTF (ushqim terapeutik i gatshëm për përdorim), trajtim jetik, do të harxhohen nga mesi i gushtit, nëse nuk ndryshon asgjë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kjo është vërtet e rrezikshme për fëmijët, pasi ata ballafaqohen me uri dhe kequshqyerje për momentin” – shtoi ai.
Oweis tha se UNICEF-it i kishte mbetur ushqim RUTF për të trajtuar vetëm 3 mijë fëmijë. Vetëm në dy javët e korrikut, kjo agjenci trajtoi 5 mijë fëmijë që po përballeshin me kequshqyerje akute në Gaza.
Dërgesat RUTF, me shumë lëndë ushqyese e kalori të larta, si biskotat me shumë energji dhe gjalpi i kikirikut i pasuruar me qumësht pluhur, janë jetike për trajtimin e kequshqyerjes së rëndë.
“Shumica e dërgesave për trajtimin e kequshqyerjes janë konsumuar dhe ajo që ka mbetur në objekte do të harxhohet shumë shpejt, nëse nuk rimbushet” – tha të enjten një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
OBSh-ja tha se një program në Gaza që e ka për qëllim parandalimin e kequshqyerjes në mesin e personave më të ndjeshëm, përfshirë gratë shtatzëna dhe fëmijët nën moshën 5-vjeçare, mund të detyrohet që ta ndërpresë punën, pasi po mbetej pa dërgesa ushqimore.
Rezervat ushqimore në Gaza kanë qenë duke u harxhuar nga koha kur Izraeli i ndërpreu të gjitha dërgesat në enklavë në mars, duke e hequr bllokadën në maj, por me kufizime për të cilat thotë se janë të nevojshme për ta parandaluar arritjen e ndihmave te grupet militante.
Si rezultat, agjencitë ndërkombëtare të ndihmave thonë se vetëm një pjesë e vogël e sasisë që nevojitet, përfshirë ilaçet, është duke arritur tani për tani te njerëzit në Gaza./Nacionale