“Reuters”: Emisari i Trumpit për Ukrainën planifikon që të shkojë në Kiev që në janar
Emisari në ardhje për Ukrainë i presidentit të zgjedhur amerikan, Keith Kellog, do të udhëtojë në Kiev dhe në disa kryeqytete të tjera evropiane në fillim të janarit, përderisa administrata e re amerikane po mundohet që t’i sjellë një përfundim të shpejtë luftës mes Rusisë e Ukrainës, sipas dy burimeve që kishin njohuri rreth planifikimit të vizitës.
Gjenerali i pensionuar, që pritet të shërbejë si emisar i posaçëm i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, nuk është duke planifikuar që ta vizitojë Moskën, thanë burimet, të cilat kërkuan që të mbeten anonime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai do të vizitojë udhëheqës në Kiev, ndërsa ekipi i tij është duke punuar për të caktuar takime me udhëheqës në kryeqytete të tjera evropiane, si Roma e Parisi, shtuan burimet. Planifikimi i udhëtimeve është ende duke u finalizuar dhe itinerari mund të ndryshojë, paralajmëroi njëri nga burimet.
Pritet që takimet të jenë të përqendruara në gjetjen e fakteve në emër të administratës në ardhje të Trumpit e jo në bisedime aktive, thanë burimet. Prapëseprapë, udhëtimi i planifikuar, që pritet të fillojë pak pas Vitit të Ri, e ilustron urgjencën që ia ka vënë presidenti i zgjedhur përmbylljes së luftës në Ukrainë.
Trumpi ka premtuar se do t’i japë fund luftës mes Ukrainës e Rusisë brenda 24 orëve pas ardhjes në pushtet, nëse jo më herët. Ish-zyrtarë të inteligjencës dhe të sigurisë kombëtare kanë shprehur dyshime se një gjë e tillë mund të arrihet, pjesërisht për shkak se presidenti rus, Vladimir Putin, ka pak arsye për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve, të paktën jo sipas kushteve që janë të pranueshme për Kievin.
Një përfaqësues i Trumpit nuk i komentoi takimet e planifikuara, por tha se përfundimi i shpejtë i luftës në Ukrainë mbetet prioritet për presidentin e zgjedhur.
Përfaqësues të ambasadave ukrainase e italiane në Uashington nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Nuk qe menjëherë i mundshëm kontakti me një përfaqësues të ambasadës franceze.
Aleatë e këshilltarë të Trumpit kanë mbrojtur ose kanë përvijuar plane për ta arritur përfundimin e luftës në Ukrainë. Të gjitha ato plane do të rezultonin në dorëzimin e pjesëve të mëdha të territorit nga Ukraina për një të ardhme të parashikueshme.
Vetë Kellogg-u i dërgoi Trumpit këtë vit një propozim, me të cilin do të ngriheshin vijat e frontit dhe do të hiqej nga tavolina anëtarësimi i Ukrainës në NATO në të ardhmen e afërt. Megjithatë, ai gjithashtu ka dhënë shenja se propozimi i tij është pikë fillestare dhe se administrata e re ende është duke punuar në një plan përfundimtar.