“Reuters”: Emiratet e Bashkuara po ndërmjetësojnë në bisedimet sekrete Siri – Izrael - NACIONALE

“Reuters”: Emiratet e Bashkuara po ndërmjetësojnë në bisedimet sekrete Siri – Izrael

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hapur një kanal për bisedime mes Izraelit e Sirisë, thanë tre persona të afërt me çështjen, derisa udhëheqësit e rinj të Sirisë po synojnë ndihmë rajonale për ta menaxhuar marrëdhënien gjithnjë më armiqësore me fqinjin jugor.

Kontaktet e tërthorta, për të cilat nuk është raportuar më parë, janë të përqendruara në çështjet e sigurisë dhe të inteligjencës si dhe në ndërtimin e besimit mes dy shteteve që nuk kanë marrëdhënie zyrtare, thanë një person i afërt me çështjen, një burim sirian i sigurisë dhe një zyrtar rajonal i inteligjencës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një burim e përshkroi këtë përpjekje, e cila filloi disa ditë pas vizitës së presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, në Emiratet e Bashkuara më 13 prill, si të përqendruar aktualisht në “çështje teknike” dhe shtoi se nuk ka kufij në lidhje me atë që mund të diskutohet më pas.

Burimi sirian i sigurisë i tha agjencisë “Reuters” se kanali i kontakteve është i kufizuar në mënyrë të prerë vetëm për çështje që ndërlidhen me sigurinë, duke u përqendruar në disa dosje kundër terrorizmit.

Më tej, ky burim tha se çështjet që janë tërësisht ushtarake, sidomos ato që lidhen me aktivitetet e ushtrisë izraelite në Siri, janë jashtë fushës së kanalit të tanishëm të komunikimit.

Burimi i inteligjencës tha se, mes të tjerëve, zyrtarë të sigurisë të Emirateve të Bashkuara, zyrtarë sirianë të inteligjencës dhe ish-zyrtarë izraelitë të inteligjencës janë të përfshirë në këtë mekanizëm.

Burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.

Presidenca Siriane dhe Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, refuzoi që të komentonte.

Ndërmjetësimi jofromal mes Izraelit e Sirisë me qëllim të qetësimit të situatës pas sulmeve izraelite në Siri afër pallatit presidencial në Damask është bërë javën e fundit përmes kanaleve të tjera, sipas njërit prej burimeve dhe sipas një diplomati rajonal. Ata refuzuan që të hynin në hollësi.

Qeveria siriane i ka dënuar sulmet izraelite në territorin e saj, duke i cilësuar si ndërhyrje të jashtme dhe veprime që e eskalojnë situatën./Nacionale

Lajme të ngjashme