Republikanët e rrëzojnë projektligjin e vet, Qeveria e ShBA-së më pak se 24 orë larg mbylljes
Republikanët e vijës së ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së të premten refuzuan një projektligj të propozuar nga udhëheqësi i tyre për financim të përkohshëm të qeverisë, duke e bërë pothuajse të sigurt mbylljen e pjesshme të agjencive qeveritare duke filluar nga e diela.
Me 232 vota “për” e 198 “kundër”, Dhoma e Përfaqësuesve rrëzoi një masë që do ta zgjaste financimin e qeverisë për 30 ditë dhe do ta shmangte mbylljen. Me këtë projektligj do të zvogëloheshin shpenzimet dhe do të kufizohej migrimi, prioritete republikane që kishin pak gjasa për t’u miratuar në Senat, që kontrollohet nga demokratët, raporton agjencia “Reuters”.
Rrëzimi i këtij projektligji i la republikanët pa një strategji të qartë për shmangien e mbylljes, që do t’i prekte parqet kombëtare, pagesat për deri në katër milionë punëtorë federalë dhe të paraqiste pengesa në shumë fusha, nga ekonomia, te kërkimi shkencor, nëse nuk sigurohet vazhdimi i fondeve pas orës 24 në mesnatën mes së shtunës e të dielës.
Pas votimit, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, anëtar i Partisë Republikane, Kevin McCarthy, tha se ky organ ende mund të miratojë zgjatje të fondeve pa politikat konservatore, që ishin kundërshtuar nga demokratët. Megjithatë, ai refuzoi të tregonte se çfarë do të ndodhte tutje. Votime të reja priten të shtunën në Dhomën e Përfaqësuesve. “Dështim është vetëm nëse heq dorë”- tha McCarthy para gazetarëve.
Nuk qe e qartë as nëse Senati do të veprojë me kohë. Ky organ pritet që të shtunën pasdite të shqyrtojë një projektligj të hartuar nga të dyja partitë e më të cilin qeveria do të financohej deri më 17 nëntor, por pengesat procedurale do të mund ta vononte votimin përfundimtar deri të martën.
Sekretarja e Thesarit e Shteteve të Bashkuara, Janet Yellen, tha të premten se mbyllja e qeverisë do ta minonte progresin ekonomik të vendit, duke i dëmtuar programet për biznese të vogla dhe fëmijë dhe do të mund të vononte përmirësime të rëndësishme në infrastrukturë.
Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar se mbyllja e qeverisë do të ishte barrë e rëndë ndaj forcave të armatosura.
“Ne s’mund ta luajmë politikën, kur trupat tona qëndrojnë në të çarë. Është një shkelje absolute e detyrës”- tha ai gjatë ceremonisë së pensionimit të gjeneralit Mark Milley.
