Qeveria amerikane mund të mbyllet pas pesë ditëve, Kongresi drejt krizës - NACIONALE

Qeveria amerikane mund të mbyllet pas pesë ditëve, Kongresi drejt krizës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Shteteve të Bashkuara mund të mbyllet pas pesë ditëve, nëse nuk miratohen fondet e nevojshme, ndërsa Kongresi është duke lëvizur drejt metodës së punës në krizë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ballafaqohet me një kryengritje të republikanëve, të cilët janë të vendosur për zvogëlimin e shpenzimeve, edhe nëse kjo do t’i kufizonte shpenzimet federale për miliona amerikanë.

Nuk ka rrugë të qartë për dalje nga kriza, kur ligjvënësit të kthehen në ulëset e tyre, pasi tensionet janë të larta, ndërsa mundësitë të kufizuara. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të martën në mbrëmje për një pako të projektligjeve për financimin e disa pjesëve të ekzekutivit, por nuk është ende plotësisht e qartë që McCarthy e ka përkrahjen e nevojshme për të lëvizur përpara, raporton agjencia “Associated Press”.

Ndërkohë, Senati, në përpjekje për ta shmangur mbylljen e institucioneve federale, është duke e përgatitur planin e tij dypartiak për një masë të përkohshme për të blerë kohë dhe për ta vazhduar financimin e institucioneve pas afatit të së shtunës, përderisa puna në Kongres vazhdon. Megjithatë, planet për zgjerimin e ndihmës për Ukrainën kanë hasur në vështirësi, sepse disa republikanë në Dhomë të Përfaqësuesve dhe në Senat e kundërshtojnë ndarjen e fondeve shtesë për Ukrainën.

Presidenti Joe Biden i ka paralajmëruar konservatorët republikanë që të mos i përdorin taktikat e tyre të ashpra, duke thënë se financimi i qeverisë federale është “njëra nga përgjegjësitë më themelore të Kongresit”.

Bideni kërkoi nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që të mos e tradhtojnë marrëveshjen për kufirin e borxhit, të cilën ai e kishte arritur më herët këtë vit me McCarthy-n dhe në të cilën janë përcaktuar nivelet e financimit të qeverisë. Marrëveshja është bërë ligj me nënshkrim dhe është miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit.

“Ne bëmë një marrëveshje, ne i shtrënguam duart dhe thamë se kjo është ajo që do ta bëjmë. Tani, ata po e shkelin marrëveshjen. Nëse republikanët në Dhomë të Përfaqësuesve nuk fillojnë që t’i bëjnë punët e tyre, ne duhet të ndalojmë së zgjedhuri ata”- tha presidenti amerikan.

Mbyllja e qeverisë do t’i pengonte ekonominë amerikane dhe jetën e miliona amerikanëve që punojnë në institucione ose që varen nga shërbimet federale.

Ish-presidenti Donald Trump, që është favorit për ta siguruar nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, po i inkurajon republikanët në Kongres që ta mbyllin këtë institucion dhe ta zhbëjnë marrëveshjen që McCarthy e ka bërë me Bidenin.

“Nëse nuk merrni gjithçka, mbylleni! Është koha që republikanët të mësojnë se si të luftojnë”- shkroi ai në rrjete sociale.

Lajme të ngjashme