Rekrutëve rusë thuhet se u mundësohet ngrirja e materialit riprodhues falas - NACIONALE

Rekrutëve rusë thuhet se u mundësohet ngrirja e materialit riprodhues falas

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtarët rusë, të cilët janë thërritur për të luftuar në Ukrainë, do të mund ta ngrijnë falas materialin e tyre riprodhues, i cili do të ruhet, sipas një avokati të njohur rus.

Kryetari i Unionit të Avokatëve të Rusisë, Igor Trunov, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve, “Tass”, se Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur kërkesës së tij për ofrimin e një objekti të posaçëm për ruajtjen e materialit riprodhues dhe për ndryshimet në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.

Rusia ka mobilizuar 300 mijë rezervistë pas një vargu humbjesh në Ukrainë. Është raportuar se burrat kishin nisur të shkonin në klinika për ta ngrirë materialin e tyre riprodhues, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.

Avokati Trunov njoftoi se unioni i tij ka bërë kërkesë në emër të disa çifteve të cilave burrat u janë ftuar për të marrë pjesë në atë që Rusia e quan “operacion special ushtarak”, duke iu referuar luftës në Ukrainë.

Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka komentuar njoftimin e Trunovit, por ai u tha gazetarëve se kjo ministri “e ka përcaktuar mundësinë e përkrahjes financiare nga buxheti federal për ruajtjen dhe vendosjen falas të spermatozoideve për qytetarët e mobilizuar për të marrë pjesë në operacionin special ushtarak për periudhën 2022 – 2024”.

Në shtator, presidenti rus, Vladimir Putin, dha urdhër për mobilizim të pjesshëm. Më shumë se 250 mijë burra rusë raportohet të jenë larguar nga vendi për t’i ikur thirrjes ushtarake.

Disa ditë pas këtij vendimi, uebfaqja “Fontanka” në qytetin e dytë më të madh në Rusi, Shën Petersburg, raportoi për rritje të numrit të burrave që shkonin në klinika për fertilizim artificial për ta ngrirë materialin e tyre riprodhues dhe për të hartuar dokumente me të cilat u lejohet përdorimi i tij bashkëshorteve të tyre.

Andrei Ivanovi nga spitali i qytetit Marinsky tha se burrat që po përgatiteshin për mobilizim dhe ata që ishin duke planifikuar për t’u larguar nga vendi, janë paraqitur në spital.

Lajme të ngjashme