Refugjatët ukrainas ndikuan që popullsia e Gjermanisë vjet të rritej për 1,3 për qind
Numri i madh i refugjatëve nga Ukraina, që ikën nga lufta e Rusisë, nxiti rritje prej 1,3 për qind të popullsisë së Gjermanisë vitin e kaluar, duke e çuar në mbi 84,4 milionë numrin e banorëve, sipas statistikave zyrtare të publikuara të martën.
Popullsia e Gjermanisë u rrit për 1 milion e 120 mijë më 2022, tha Zyra Federale e Statistikave. Më 2021, popullsia e këtij shteti u rrit për vetëm 0,1 për qind ose për 82 mijë njerëz, raporton agjencia “Associated Press”.
Rritje e popullsisë u regjistrua në të gjitha 16 shtetet gjermane. Rritjet më të mëdha proporcionale u shënuan në dy qytetet më të mëdha të vendit, Berlin dhe Hamburg, me nga 2,1 për qind.
Në fund të vitit të kaluar, në Gjermani banonin 12,3 milionë njerëz vetëm me shtetësi të huaj, tha zyra e statistikave. Prej tyre, 1,34 milion shtetas turq ishin grupi më i madh.
Përpos turqve, ishin edhe 1 milion e 50 mijë ukrainas, 915 mijë më shumë se më 2021; 883 mijë sirianë, 48 mijë më shumë se më 2021.
Në përgjithësi, numri i shtetasve të huaj që jetonin në Gjermani u rrit për 1,4 milion, ndërsa numri i shtetasve gjermanë ra për 309 mijë, kryesisht për shkak se kishte më shumë vdekje se lindje. Si rezultat, proporcioni i popullsisë pa shtetësi gjermane u rrit nga 13,1 në 14,6 për qind.
