Rebelët në Mali e demantojnë Ukrainën: S’kemi marrë ndihmë prej saj apo prej të huajve
Një zëdhënës i aleancës së rebelëve Tuareg në shtetin afrikan, Mali, ka thënë se ata nuk kanë pranuar asistencë të jashtme gjatë luftimeve që u zhvilluan në fund të korrikut dhe të cilat iu dhanë një goditje domethënëse ushtrisë së këtij vendi dhe luftëtarëve të grupit “Wagner”, si dhe nuk kanë pranuar kurrfarë ndihme nga Ukraina.
Rebelët veriorë thanë në fillim të gushtit se kishin vrarë të paktën 84 luftëtarë të grupit rus të mercenarëve, “Wagner”, dhe 47 ushtarë të Malit gjatë ditëve me luftime të ashpra në qytezën Tinzaouaten, afër kufirit me Algjerinë, në atë që duket të jetë humbja më e rëndë për grupin rus që nga përfshirja e tij para dy vjetëve për t’i ndihmuar autoritetet ushtarake të vendit të Afrikës Perëndimore në luftën e tyre kundër grupeve kryengritëse, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne qartazi mund të themi se nuk kemi marrë ndihmë të jashtme për luftimet në Tinzaouaten” – tha Mohamed Elmaouloud Ramadane nga Korniza e Përhershme Strategjike për Paqe, Siguri dhe Zhvillim, aleancë rebelësh, të mërkurën për agjencinë “Reuters”.
Kur u pyet nëse Ukraina e kishte ndihmuar më parë lëvizjen e rebelëve, qoftë financiarisht apo me trajnime, Ramadane tha: “Jo, ne nuk kemi pranuar ndonjë asistencë nga Ukraina.”
Një zëdhënës i inteligjencës ushtarake ukrainase kishte bërë një deklaratë më 29 korrik që Mali e kishte interpretuar si konfirmim që Ukraina u kishte dhënë informata rebelëve para luftimeve. Gazeta “Nacionale” kishte raportuar për pretendimin e këtij zyrtari ukrainas muajin e kaluar.
Disa ditë më pas, Mali tha se kishte marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Ukrainën pas deklaratës së zëdhënësit ukrainas. Gazeta “Nacionale” kishte raportuar edhe për këtë zhvillim.
Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Ukrainës kishte thënë se vendimi ishte i ngutur dhe se nuk ishte paraqitur ndonjë dëshmi që tregonte se Kievi kishte luajtur ndonjë rol në luftime.
Pas disa ditëve, edhe Nigeri, fqinj i Malit, i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën, duke u thirrur në komentet e njëjta të zëdhënësit të agjencisë ukrainase për inteligjencë ushtarake. Gazeta “Nacionale” kishte raportuar për këtë goditje të re diplomatike ndaj Kievit./Nacionale