Rebelët Houthi të Jemenit u ofrojnë studime studentëve të pezulluar protestues në ShBA
Rebelët Houthi të Jemenit, të cilët e kanë penguar transportin detar global për ta shfaqur përkrahjen për palestinezët në konfliktin e Gazës, tani po u ofrojnë studime studentëve të pezulluar nga disa universitete amerikane për shkak të protestave kundër Izraelit.
“Ne jemi seriozë për mirëpritjen e studentëve që janë pezulluar nga universitetet amerikane për përkrahjen e palestinezëve. Ne po luftojmë në këtë betejë me Palestinën në secilën mënyrë që mundemi” – tha një zyrtar i Universitetit të Sanaa-s, që kontrollohet nga rebelët Houthi, raporton agjencia “Reuters”.
Ky universitet ka lëshuar një deklaratë për ta përshëndetur pozicionin “humanitar” të studentëve në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ata mund t’i vazhdojnë studimet në Jemen.
“Bordi i universitetit e dënon atë për të cilën akademikët dhe studentët e ShBA-së dhe universiteteve evropiane po bëhen subjekt, shtypjen e lirisë së shprehjes” – thuhet në një deklaratë të bordit të universitetit, në të cilën përfshihet një adresë elektronike për secilin student që dëshiron ta shfrytëzojë ofertën.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e rikthyen grupin Houthi në listën e grupeve terroriste këtë vit, pasi sulmet e rebelëve ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe përreth tij e dëmtuan ekonominë globale.
Oferta e rebelëve Houthi për shkollim të studentëve amerikanë nxiti një valë sarkazmi nga jemenasit e rëndomtë në rrjete sociale.
Një përdorues i rrjeteve sociale publikoi një fotografi të dy perëndimorëve duke përtypur gjethin narkotik që përdoret gjerësisht në Jement, Qat. Ai e përshkroi skenën si të dy studentëve amerikanë gjatë vitit të pestë në Universitetin e Sanaa-s.