Raportohet se ushtria izraelite ka vrarë një fëmijë 14-vjeçar palestinez - NACIONALE

Raportohet se ushtria izraelite ka vrarë një fëmijë 14-vjeçar palestinez

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një fëmijë 14-vjeçar palestinez është vrarë nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë të enjten zyrtarët shëndetësorë palestinezë, përderisa një ministër ekstremist izraelit vizitoi një vend të shenjtë në Jerusalem, që ka qenë shpesh pikë e nxehtë e dhunës mes izraelitëve e palestinezëve.

Vizita e ministrit Itamar Ben-Gvir në kompleksin e kontestuar vjen në periudhën e luftimeve që kanë nisur para një viti e gjysmë dhe mund t’i nxisë edhe më shumë tensionet tashmë të larta. Vizita e zyrtarit të lartë izraelit u dënua nga Jordania fqinje dhe nga palestinezët, të cilët i konsiderojnë provokuese vizitat e tilla, raporton agjencia “Associated Press”.

Të enjten herët, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se 14-vjeçari Fares Sharhabil Abu Samra është vrarë nga të shtënat izraelite në qytezën Qalqilya të Bregut Perëndimor. Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se palestinezët hodhën gurë dhe bomba zjarri në drejtim të ushtarëve të saj, të cilët u kundërpërgjigjën me të shtëna në ajër, duke shtuar se incidenti ishte duke u hetuar.

Një faqe në rrjetin "Instagram", që publikon materiale për Palestinën, ka publikuar një fotografi ku thuhet se është paraqitur adoleshenti që është vrarë nga forcat izraelite.

Ministri Ben-Gvir iu bashkua atyre që pritet të jenë qindra hebrenj që e vizitojnë kompleksin e Xhamisë Al-Aksa për ta shënuar festën hebreje, Tisha B’Av.

“Ky është vendi më i rëndësishëm për popullin e Izraelit, në të cilin duhet të kthehemi dhe ta shfaqim sundimin tonë”- tha ministri izraelit në një video të publikuar nga zyra e tij.

Ministria e Çështjeve të Jerusalemit e Autoritetit Palestinez paralajmëroi se qeveria dhe ekstremistët si Ben-Gviri “do t’i çojnë gjërat drejt luftës fetare” përmes “provokimit të ndjenjave të myslimanëve në mbarë botën”. Ministria e Jashtme e Palestinës tha se e konsideron vizitën e ministrit izraelit në vendin e shenjtë si përpjekje për ta vendosur sovranitetin izraelit në atë pjesë.

Nga pjesa e parë e vitit të kaluar, Izraeli ka kryer bastisje pothuajse natë për natë në zona palestineze dhe ka thënë se qëllimi i tyre është që të shtypen militantët dhe të parandalohen sulmet e ardhshme. Më shumë se 160 palestinezë janë vrarë nga luftimet këtë vit, sipas statistikave të agjencisë “Associated Press”.

Lajme të ngjashme