Raportohet se ShBA-ja dhe vendet arabe kanë nisur bisedime sekrete me Iranin - NACIONALE

Raportohet se ShBA-ja dhe vendet arabe kanë nisur bisedime sekrete me Iranin

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtetet e Bashkuara dhe vendet arabe kanë nisur bisedime secrete me Iranin për një armëpushim gjithëpërfshirës me qëllim të qetësimit të të gjitha fronteve të luftës përnjëherë, sipas raportimit të një televizioni izraelit të martën.

Televizioni “Channel 12” raportoi se Izraeli tani për tani nuk është i përfshirë në këtë nismë, por se zyrtarë të lartë izraelitë janë njoftuar për të, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Televizioni theksoi se nuk ishte e qartë se si këto përpjekje do të ndikojnë në Rripin e Gazës, që është më i ndërlikuar se frontet e tjera për shkak të dëshirës së Izraelit për t’i vazhduar luftimet edhe pas një pakti të mundshëm për lirimin e pengjeve, me qëllim që të sigurohet se Hamasi nuk do të përbëjë kurrë më kërcënim, si dhe për shkak të kërkesës së grupit palestinez që trupat izraelite të tërhiqen nga enklava në rast të çfarëdo marrëveshjeje.

Më tej, në raportimin e televizionit izraelit thuhet se Izraeli ende nuk ua ka bërë të ditur Shteteve të Bashkuara qëndrimin e vet për nismën me Iranin.

“Ne tash për tash jemi në pozitë të fuqisë, një armëpushim do të jetë në kushtet tona, përfshirë një tërheqje [të Hezbollahut] përtej [lumit] Litani dhe çmontimin e të gjitha qendrave ushtarake të Hezbollahut në zonat afër kufirit” – citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë izraelit.

Raporti doli në kohën kur Hezbollahu u duk sikur kishte hequr dorë nga kërkesa për një armëpushim në Gaza si kusht për arritjen e armëpushimit në Liban, duke u tërhequr nga premtimi i përsëritur shpesh se do t’i vazhdojë sulmet me raketa e dronë derisa Izraeli ta ndalë ofensivën kundër Hamasit.

Që nga fillimi i sulmeve të Hezbollahut me raketa matanë kufirit të Libanit pas sulmit të 7 tetorit të vitit 2023, që e nxiti luftën në Gaza dhe luftimet pasuese në mbarë rajonin, zyrtarë të Hezbollahut kanë thënë vazhdimisht se nuk do të ndalen derisa Izraeli t’i japë fund konfliktit në Rripin e Gazës.

Megjithatë, nënkryetari i Hezbollahut, Naim Qassem, e theu këtë vijë në një fjalim televiziv të martën, edhe pse premtoi se grupi do të vazhdonte që të qëndronte me Hamasin dhe palestinezët në betejën e tyre me Izraelin.

Duke qenë zyrtari më i lartë i Hezbollahut pas vrasjes së udhëheqësit Hassan Nasrallah në një sulm izraelit, Qassem tha se i mbështet përpjekjet e kryetarit të Kuvendit të Libanit, Nabih Berri, aleat i Hezbollahut, për të siguruar një armëpushim – pa caktuar ndonjë parakusht.

“Ne e përkrahim aktivitetin politik që po udhëhiqet nga Berri nën titullin e një armëpushimi. Nëse armiku [Izraeli] e vazhdon luftën e vet, atëherë do të vendosë fusha e betejës” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme