Raportohet se Rusia po sulmon përgjatë tërë frontit të Luhanskut - NACIONALE

Raportohet se Rusia po sulmon përgjatë tërë frontit të Luhanskut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përderisa forcat ruse po kryejnë operacione në thelb mbrojtëse në jug të Ukrainës, ato kanë ndërtuar pozicion më sulmues në pjesë të tjera të vijës së frontit, sipas të dhënave nga ushtria ukrainase, udhëheqësit rajonalë dhe blogerët rusë.

“Dje, armiku u mundua që të përparonte pothuajse përgjatë tërë vijës së frontit (që kalon nëpër rajonin e Luhanskut). Këto përpjekje u ndalën nga ushtria jonë. Armiku po pëson humbje të konsiderueshme në personel dhe mjete, por po vazhdon çdo ditë”- tha Artem Lysohor, drejtor i administratës rajonale ushtarake, në rrjetin “Telegram” të shtunën.

Ai përmendi pesë vende në Luhansk, ku forcat ruse kishin sulmuar rishtazi, raporton televizioni CNN.

Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha në televizion se Rusia ka mbledhur 100 mijë ushtarë në lindje të një zone mes qytezave Lyman e Kupyansk. Këto vendbanime janë rreth 100 kilometra larg mes vete, në veri të Bakhmutit, në frontin e lindjes.

“Edhe pse situata është e ndërlikuar, ajo është nën kontrollin tonë. Armiku po vepron sipas skemës klasike – po kryejnë sulme artilerie e ajrore ndaj pozicioneve tona në nivelin maksimal të mundshëm, pastaj mundohen që të sulmojnë me njësite të nivelit të togave e kompanive... duke u munduar që t’i sulmojnë pozicionet tona”- tha zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Serhii Cherevatyi.

“Rybar”, një faqe ushtarake e blogerëve rusë, tha se forcat e Moskës kanë shënuar përparime territoriale në rajonin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, duke kapur një stacion treni në fshatin Movchanove dhe duke e zgjeruar kontrollin përreth qytezës Lyman Pershyi.

Televizioni CNN nuk ka mundur që menjëherë t’i vërtetojë pretendimet për fitore ose humbje të secilës palë në fushën e betejës, por edhe në faqen “DeepState” mund të kuptohet se rusët kanë shënuar përparim modest në zonën e njëjtë.

Lajme të ngjashme