Raportohet se portet në Turqi po u kërkojnë anijeve të deklarojnë se s’janë të lidhura me Izraelin - NACIONALE

Raportohet se portet në Turqi po u kërkojnë anijeve të deklarojnë se s’janë të lidhura me Izraelin

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Autoritetet në portet detare turke kanë filluar që në mënyrë joformale të kërkojnë nga agjentët transportues letra ku deklarohet se anijet nuk janë të lidhura me Izraelin dhe nuk janë duke bartur dërgesa ushtarake ose të rrezikshme për këtë vend, sipas dy burimeve të transportit.

Burimet thanë se zyra e udhëheqësit të limaneve i ka udhëzuar gojarisht agjentët e porteve që të ofrojnë garanci me shkrim, duke shtuar se nuk ka qarkore zyrtare për këtë çështje.

Njëri nga burimet tha se udhëzimi vlen për portet në mbarë Turqinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në letrën e garancisë duhet të deklarohet se pronarët, menaxherët dhe operatorët e anijes nuk kanë lidhje me Izraelin dhe se lloje të caktuara të dërgesave, përfshirë lëndët shpërthyese dhe materialet radioaktive ose pajisjet ushtarake nuk ndodhen në anije gjatë lundrimit për në Izrael, tha burimi i dytë.

Ministria e Transportit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Vitin e kaluar, Turqia i shkëputi marrëdhëniet tregtare me Izraelin, vlera e të cilave ishte 7 miliardë dollarë në vit, për shkak të luftës në Gaza me grupin militant palestinez, Hamas./Nacionale

Lajme të ngjashme