Raportohet se një anije nga flota ndërkombëtare ka hyrë në ujërat territoriale të Gazës
Sipas uebfaqes për përcjelljen e lundrimit të flotës ndërkombëtare të anijeve me ndihma drejt Gazës, njëra nga to, e quajtur “Mikeno” tani ndodhet në ujërat territoriale të Gazës.
Zhvillimi i ri vjen në kohën kur forcat detare izraelite po vazhdojnë t’i pengojnë anijet, por disa prej tyre tashmë po u afrohen ujërave territoriale të Gazës. Numri i anijeve operacionale tani është 24, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo është hera e parë në atë zonë që nga viti 2009, kur Izraeli vendosi bllokadë detare ndaj ujërave të Gazës, që një mision humanitar i paautorizuar arrin në afërsi më të vogël se 130 kilometra nga enklava.
Në vitin 2010, një barkë e drejtuar nga Turqia i ishte afruar një distance të ngjashme bregdetit të Gazës, duke çuar në një ballafaqim vdekjeprurës në të cilin dhjetë aktivistë turq u vranë nga komandot izraelite.
The Mikeno ship, which had lost its signal, appeared inside Gaza’s territorial waters about 9.3 miles from Gaza pic.twitter.com/jC0wT7GUkr
— Global Sumud Flotilla Commentary (@GlobalSumudF) October 2, 2025
Ndërkohë, raportohet se vetëm katër anije të flotës besohet se janë ende duke lundruar, sipas uebfaqes për përcjelljen e drejtpërdrejtë të lundrimit. Gazeta britanike “The Independent” raporton se forcat izraelite kanë penguar 39 anije që po bartnin ndihma dhe aktivistë drejt Gazës dhe vetëm një anije është ende duke lëvizur drejt Rripit të Gazës.
Nga katër anijet që janë në listën e atyre që ende janë duke lundruar, dy janë nën mbështetje ligjore dhe janë nisur për në veri, drejt Qipros. Një anije ndodhet ende afër bregdetit të Egjiptit dhe një e quajtur “Mikeno” ka hyrë në ujërat territoriale të Gazës dhe thuhet se ndodhet vetëm pak kilometra larg territorit tokësor të enklavës.