Raportohet se Netanyahu s’i dëgjoi ministrat ekstremistë për ta sfiduar Trumpin rreth Iranit - NACIONALE

Raportohet se Netanyahu s’i dëgjoi ministrat ekstremistë për ta sfiduar Trumpin rreth Iranit

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Diskutimet e zhvilluara të hënën shpërfaqën mosmarrëveshje mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, dhe ministrave të tij të së djathtës ekstreme për atë se si duhet t’i përgjigjet Izraeli kërkesës së presidentit amerikan, Donald Trump, që Izraeli t’i ndalë sulmet kundër Iranit dhe për atë nëse vendi duhet ta bëjë prioritet ballafaqimin me Iranin drejtpërdrejt apo ta shtojë presionin ndaj Hezbollahut në Liban, raporton televizioni “Channel 12”.

Sipas raportit, këto diskutime u zhvilluan gjatë një vargu të konsultimeve të kufizuara të sigurisë mes Netanyahut, ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe zyrtarëve të lartë të sigurisë të hënën në Kirya, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Thuhet se Netanyahu e mbrojti bashkërendimin me Uashingtonin, duke argumentuar se Trumpi mbetet i rreshtuar me objektivat më të gjera të Izraelit në lidhje me Iranian: “Jemi në qëndrimet e njëjta si Trumpi. Ai nuk do t’i lëshojë fondet e ngrira të Iranit, është i vendosur që ta sigurojë materialin bërthamor dhe është duke e mbajtur presionin. Pse duhet të zgjedhim një përplasje me të?”

Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, thuhet se argumentoi që Izraeli duhet t’i rezistojë presionit amerikan, duke thënë: “Ne duhet ta mbrojmë pozicionin tonë kundër Trumpit. Duhet të luftojmë me dhëmbë e thonj dhe të bëjmë të qartë që kemi vija të kuqe.”

Thuhet se Netanyahu iu kundërpërgjigj ministrit duke sugjeruar se pozicioni i tij ishte i ndikuar nga fushata zgjedhore që po afrohet, akuzë që Ben Gviri e mohoi.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, thuhet se argumentoi që Izraeli duhet ta vazhdojë përqendrimin te kundërpërgjigjja ushtarake ndaj caqeve të Hezbollahut në Bejrut të Libanit, duke u dukur se po sugjeronte se një gjë e tillë do ta dobësonte grupin e mbështetur nga Irani dhe do ta përforconte refuzimin e kërkesave të Iranit që Libani të përfshihet në ndonjë marrëveshje të armëpushimit në të ardhmen.

“Drejtimi i duhur i veprimit është që të mbetemi te modeli i Bejrutit... Të godasim fort në Bejrut. Kjo do të bëjë që Hezbollahu të përgjërohet që kjo të ndalet dhe kjo do të mund të ndihmonte në ndarjen e mëtejme të fronteve [iraniane dhe libaneze]... Veprimi në Iran bart kosto diplomatike dhe është i ndërlikuar. Ne mund ta ndërrojmë ekuacionin” – citohet të ketë thënë Smotrich-i./Nacionale

Lajme të ngjashme