Raportohet se Izraeli po i mban nën vëzhgim forcat amerikane e aleatë të tjerë në bazën e përbashkët
Operativët izraelitë janë duke kryer vëzhgim të gjerë të forcave amerikane dhe të aleatëve të tjerë në një bazë të re të ShBA-së në jug të Izraelit, e themeluar me qëllim të vëzhgimit të armëpushimit në Gaza dhe hartimit të planeve për të ardhmen e enklavës sipas planit të presidentit amerikan, Donald Trump, sipas burimeve që kanë njohuri për mosmarrëveshjet rreth incizimeve të hapura e të fshehta të takimeve dhe diskutimeve.
Niveli i grumbullimit të të dhënave të inteligjencës në Qendrën e Bashkërendimit Civil Ushtarak (CMCC) e nxiti komandantin amerikan të bazës, Gjeneral Lejtënant Patrick Frank, që të thërriste në takim një homolog izraelit e t’i thoshte se “incizimet duhet të ndalen këtu”, raporton gazeta “The Guardian”.
Stafi dhe vizitorë nga vende të tjera gjithashtu kanë ngritur shqetësime rreth incizimeve që Izraeli po i bën brenda CMCC-së. Disave u është thënë që ta shmangin ndarjen e të dhënave të ndjeshme për shkak të rrezikut që ato të mblidhen dhe të shfrytëzohen.
Ushtria amerikane refuzoi që të komentonte, kur u pyet për aktivitetet izraelite të vëzhgimit. Ushtria izraelite refuzoi që ta komentonte kërkesën e gjeneralit Frank për ndaljen e incizimeve dhe theksoi se bisedat brenda CMCC-së nuk janë të klasifikuara.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit i dokumentojnë dhe i përmbledhin takimet në të cilat janë të pranishme përmes protokolleve, siç bën cilado organizatë profesioniste e kësaj natyre në një mënyrë transparente dhe për të cilën ka pajtim” – tha në një deklaratë ushtria izraelite.
“Është absurd pretendimi se ushtria izraelite është duke mbledhur inteligjencë nga partnerët e saj në takimet në të cilat ushtria izraelite është pjesëmarrëse aktive” – thuhet më tej.
Ushtarët e vendosur në CMCC e kanë për detyrë mbështetjen e shtimit të dërgesave themelore në Gaza, element përbërës i marrëveshjes. Izraeli rregullisht i ka kufizuar ose i ka parandaluar dërgesat e ushqimit, ilaçeve e mallrave të tjera humanitare në Gaza. Një bllokadë e plotë këtë verë i çoi në uri masive disa pjesë të enklavës.
Kur CMCC-ja i kishte nisur operacionet, mediat amerikane dhe izraelite kishin raportuar se Izraeli do ta dorëzonte autoritetin në lidhje me atë se çfarë do të hynte në territor për të arritur tek ushtria amerikane.
Dy muaj pas fillimit të armëpushimit, Uashingtoni ka leva të konsiderueshme, por Izraeli e mban nën kontroll perimetrin e Gazës dhe ato që hyjnë në enklavë, sipas një zyrtari amerikan.
“Ne nuk e morëm kontrollin [mbi ndihmat]” – tha ai, duke folur në kushte anonimiteti, transmeton gazeta "Nacionale".
Në CMCC janë bërë bashkë planifikues ushtarakë nga ShBA-ja, Izraeli e vende të tjera aleate, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
CMCC-ja është vendosur në një ndërtesë shumëkatëshe në zonën industriale të qytezës Kiryat Gat, rreth 20 kilometra larg kufirit me Gazën.