Raportohet se Izraeli e di vendndodhjen e nëntë prej 13 pengjeve të vdekura në Gaza
Izraeli nuk e di vendndodhjen e katër prej 13 trupave të mbetur të pengjeve të vdekura në Gaza, sipas një raporti të së dielës, në kohën e shtimit të presionit ndaj Hamasit për ta vazhduar dorëzimin e trupave në pajtim me kushtet e marrëveshjes për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve.
Izraeli është munduar që t’ia bëjë të ditur Uashingtonit rëndësinë e kthimit të trupave të mbetur në Rripin e Gazës, raportoi televizioni publik izraelit “Kan TV”, pasi kanë kaluar disa ditë dhe Hamasi nuk ka dorëzuar ndonjë mbetje të re të pengjeve të vdekura, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas raportit të televizionit publik, gjatë vizitës së nënpresidentit amerikan, JD Vance, komandanti i ushtrisë izraelite, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir, u mundua që t’ia theksonte rëndësinë e kthimit të trupave duke i treguar se Izraeli ka kaluar më shumë se një dekadë në përpjekje për ta zbuluar vendndodhjen e mbetjeve të ushtarit Hadar Goldin, i cili ishte vrarë në vitin 2014 dhe trupi i tij është në mesin e 13 trupave që nuk janë gjetur ende.
Hamasi pretendon se nuk ka qenë në gjendje që ta zbulojë vendndodhjen e trupave të disa prej 13 pengjeve të mbetura dhe nuk ka kthyer asnjë trup nga e marta e javës së kaluar, duke thënë se i nevojitet asistencë për lokalizimin dhe tërheqjen e tyre.
Megjithatë, thuhet se Izraeli është i sigurt që Hamasi mund të dorëzojë më shumë trupa por po e refuzon këtë dhe gjithashtu po i mban të fshehta informatat për vendndodhjen e tyre, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me marrëveshjen e 9 tetorit për armëpushim dhe lirim të pengjeve. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka bërë akuzën e njëjtë.
Në përpjekje për ta përshpejtuar procesin, ekipe të Kryqit të Kuq dhe Egjiptit iu bashkuan të dielën kërkimit të mbetjeve, me lejen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu./Nacionale