Raportohet se Hamasi vrau mbi 50 luftëtarë palestinezë të Shababit të armatosur nga Izraeli
Hamasi muajve të fundit ka vrarë 50 luftëtarë të një bande palestineze të armatosur nga Izraeli në Gaza, sipas një deklarate të lëshuar, në kohën e raportimeve se trupat izraelite ndërhynë drejtpërdrejt këtë javë për ta mbrojtur grupin.
Sipas raportimeve të mediave në Izrael, përleshjet mes luftëtarëve të Hamasit dhe anëtarëve të grupit të udhëhequr nga Yasser abu Shababi, i njohur për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale, shpërthyen të martën herët në qytetin Rafah të Gazës, raporton gazeta “The Guardian”.
Kanali televiziv izraelit, “i24”, raportoi se ushtarët izraelitë ishin përleshur me anëtarë të Hamasit me qëllim që të parandalohej vrasja e Abu Shababit, gjë që rezultoi në vdekje nga të dyja palët.
Zyrtarë izraelitë të mbrojtjes pranuan javën e kaluar se Izraeli e ka armatosur grupin e Abu Shababit me qëllim të minimit të Hamasit. Punëtorët e ndihmave kanë thënë se ky grup ka histori të gjatë të plaçkitjes së kamionëve me ndihma të OKB-së.
Këtë javë, një dron i forcave ajrore izraelite goditi katër militantë të Hamasit në atë që kanali “i24” e përshkroi si “sulmi i parë izraelit ndaj Gazës, qëllimi i vetëm i të cilit ishte që t’u asistohej militantëve të Abu Shababit”, grup që pretendonte se po u ofronte siguri kamionëve me ndihma gjatë qarkullimit nga pikëkalimi kufitar “Kerem Shalom” drejt Gazës.
Të martën, në një deklaratë të gjatë për shtyp, grupi i Abu Shababit, i quajtur Shërbimi Antiterrorist ose Forcat Popullore, tha: “Hamasi ka vrarë mbi 50 prej vullnetarëve tanë, përfshirë të afërm të udhëheqësit tonë, Yasser-it, përderisa ne i ruanim autokolonaet me ndihma dhe i rishpërndamë furnizimet që ndryshe do të ishin të destinuara për entitete të korruptuara të lidhura me Hamasin.”
Mediumi izraelit “Ynet” tha se grupi militant i Abu Shababit u kishte dalë në pritë anëtarëve të Hamasit nga njësia “Shigjeta”, e cila është përgjegjëse për t’i vënë në shënjestër ata që bashkëpunojnë me Izraelin, duke vrarë gjashtë prej tyre./Nacionale