Raportohet se është afër marrëveshja Izrael – Hamas për lirimin e rreth 70 pengjeve
Një zyrtar i lartë izraelit ka thënë se është arritja e një marrëveshjeje me Hamasin për lirimin e dhjetëra grave e fëmijëve që po mbahen peng dhe se pakti mund të njoftohet brenda disa ditëve.
Gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”, e citoi këtë zyrtar që foli në kushte anonimiteti të ketë thënë: “Përvijimi i përgjithshëm i marrëveshjes është kuptuar”, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
Sipas përvijimit fillestar, pengjet do të liroheshin në grupe, në këmbim të lirimit të grave e fëmijëve palestinezë që po mbahen në Izrael.
Gazeta amerikane raportoi se Izraeli është duke e synuar lirimin e 100 grave dhe fëmijëve që mendohet se po mbahen nga Hamasi, por se ky grup ka treguar gatishmëri për lirimin e 70 prej tyre.
E përditshmja citoi një zyrtar arab të ketë thënë se të paktën 120 gra dhe të rinj palestinezë ndodhen në burxhe izraelite dhe se ata mund të lirohen si pjesë e marrëveshjes.
Izraeli do të pajtohej edhe për një armëpushim të përkohshëm deri në pesë ditë për t’i lejuar kalimin e sigurt të pengjeve në Izrael dhe hyrjen e ndihave për civilët e Gazës, thuhet më tej në raportimin e gazetës amerikane.
“The Washington Post” shkruan më tej se Izraeli dëshiron konfirmim që pengjet që po mbahen në Gaza do të lirohen në këmbim të të burgosurve dhe se procesi i verifikimit është ende temë në bisedime.
Zyrtari izraelit theksoi se vendi i tij është i përkushtuar për ta sjellë lirinë e të gjitha pengjeve, duke vlerësuar se në grupin e tyre përfshihen rreth 90 meshkuj civilë dhe një numër më i vogël i ushtarëve.
“Ne duam sa më shumë [pengje të liruara] që është e mundshme, sa më shpejt që është e mundshme dhe që askush të mos mbetet prapa”- tha ai.
Përderisa Hamasi është duke i mbajtur “shumicën dërrmuese” të pengjeve, bashkë me trupat e disa personave, edhe grupe të tjera kanë pengje, citohet të ketë thënë ky zyrtar, por theksoi se Hamasi e ka aftësinë për të biseduar me shumicën e atyre grupeve.
Sipas tij, Xhihadi Islamik është duke mbajtur rreth 35 pengje, ndërsa grupet e tjera disa dhjetëra të tjera.
