Raportohet se Elon Musk dhe një punëtore e tij u bënë prindër të binjakëve vitin e kaluar - NACIONALE

Raportohet se Elon Musk dhe një punëtore e tij u bënë prindër të binjakëve vitin e kaluar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Miliarderi amerikan, Elon Musk, u bë baba i dy fëmijëve më 2021, nëna e të cilëve është zyrtarja e lartë në kompaninë e tij për inteligjencë artificiale, “Neuralink”, Shivon Zilis, sipas disa dokumenteve të reja të gjykatës.

Personi më i pasur në botë tashmë ka nëntë fëmijë të njohur, përfshirë pesë fëmijë me bashkëshorten e parë, Justine Musk, dhe dy me këngëtaren, Claire Boucher.

Sipas dokumenteve të gjykatës, të publikuara të mërkurën, Elon Musk dhe Zilis paraqitën një kërkesë për t’ua ndryshuar mbiemrat binjakëve që ta kenë mbiemrat e babait dhe nënës në emrat e tyre të mesëm.

Kërkesa është paraqitur në Teksas, ku janë lindur foshnjat, dhe është miratuar nga gjykatësi. Raportohet se Zilis lindi në nëntor të vitit 2021, shkruan “The Guardian”, përcjell Nacionale.

Këtë vit, organizatat për të drejtat e kafshëve paraqitën ankesë në Departamentin e Bujqësisë të ShBA-së me akuza për abuzim të kafshëve në lidhje me përdorimin e majmunëve në eksperimentet e kompanisë “Neuralink”.

Në të kaluarën, Elon Musk e ka mbështetur rritjen e shkallës së lindjeve, duke thënë se “civilizimi do të shkërmoqet”, nëse njerëzit nuk lindin më shumë fëmijë. “Dua të them, unë po e kryej pjesën time, haha”, shkroi ai rishtazi në Twitter sa i përket rënies së shkallës së lindjeve në ShBA.

Në prill, njëra nga vajzat e tij paraqiti kërkesë për ta ndryshuar mbiemrin e saj që të mos ishte ligjërisht e lidhur me babanë./Nacionale

Lajme të ngjashme