Raportohet përpjekja e SHBA-së për të sekuestruar tankerin rus, Marinera
SHBA-ja duket se po përpiqet të sekuestruar një tanker nafte me flamur rus në Atlantikun e Veriut, në një operacion me rrezik të lartë pas një ndjekjeje që ka zgjatur më shumë se dy javë, pasi Moska thuhet se ndërhyri për të mbrojtur anijen duke dërguar një nëndetëse shkruan The Guardian
Transmetuesi shtetëror rus RT publikoi dy fotografi me cilësi të dobët që tregojnë një helikopter duke iu afruar tankerës, duke deklaruar se një operacion ishte në zhvillim. Reuters, duke cituar dy zyrtarë amerikanë, konfirmoi gjithashtu se SHBA-ja po përpiqej të hipte në bord të anijes.
Tankera, Marinera, po udhëtonte nga Irani drejt Venezuelës, por u kthye në Atlantik pasi u përpoq t’i shmangej një bllokade amerikane që synonte tankerët e naftës të goditur nga sanksionet, të cilët operojnë pranë ujërave venezueliane.
Në 24 orët që paraprinë operacionin, mbi anije u vunë re disa fluturime vëzhgimi, përfshirë avionë nga bazat amerikane në Islandë, si edhe avionë RAF Rivet Joint dhe P-8 Poseidon nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët janë të aftë të zbulojnë nëndetëse.
Në dhjetor, ekuipazhi zmbrapsi një përpjekje amerikane për të hipur në bord pranë Venezuelës, pas së cilës një flamur rus u pikturua me nxitim në trupin e anijes dhe ajo u shtua në regjistrin zyrtar të anijeve të Rusisë. Më pas, Moska paraqiti një protestë zyrtare diplomatike duke kërkuar që Uashingtoni të ndalonte ndjekjen.
Sekuestrimi i tankerës ka të ngjarë të tendosë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe presidentit Vladimir Putin, në një moment të ndjeshëm, ndërsa vazhdojnë negociatat për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.