Raportohet për një valë sulmesh ruse në mbarë Ukrainën, të paktën gjashtë të vrarë
Rusia ka kryer një valë sulmesh në disa qytete të Ukrainës. Raportohet për të paktën gjasht të vrarë e disa të plagosur.
Sirenat e alarmit për sulme ajrore u aktivizuan në mbarë vendin, pasi dronë e raketa ranë në Kiev, Odesa, Dnipropetrovsk, Kharkiv e Lviv në orët e hershme të së premtes në mëngjes, raporton televizioni BBC.
Në pjesë të ndryshme të vendit, të paktën gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u lënduan, thuhet në raportime.
Sulmet gjatë natës erdhën disa ditë pas goditjes së një luftanije ruse nga Ukraina në portin e Krimesë, Feodosia.
Zëdhënësi i Forcës Ajrore të Ukrainës, Yuri Ihnat, tha se Rusia përdori raketa hipersonike, balistike e me vetëdrejtim, përfshirë llojin X-22, të cilat shumë vështirë mund të pengohen.
Duket se këto sulme kanë qenë të shpërndara e të gjera, duke goditur qytete në mbarë vendin. Kharkivi ndodhet më pak se 40 kilometra larg kufirit lindor të Ukrainës me Rusinë, ndërsa Lvivi shtrihet në skajin perëndimor të vendit, vetëm 70 kilometra larg kufirit me Poloninë.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se shtatë persona ishin dërguar në spital, ndërsa tre të tjerë kishin mbetur nën rrënojat e një depoje. Sipas tij, është goditur edhe një stacion i metrosë, që po përdorej si strehimore kundër sulmeve ajrore.
Në Dnipro u raportua për katër persona të vrarë, pasi u goditën një spital materniteti, një ndërtesë banimi e një qendër tregtare.
Kreytari i Kharkivit, Igor Terekhov, tha se një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën nga një varg sulmesh në këtë qytet, të cilat dëmtuan një spital dhe disa ndërtesa banimi.
Në Odesa, kryetari i qytetit raportoi se një ndërtesë ishte kapluar nga zjarri, pasi ishte goditur nga mbetjet e një droni të rrëzuar.
Autoritetet rajonale raportuan se një person u vra dhe tre të tjerë u lënduan në Lviv.
Sulmet ruse erdhën një ditë pas falënderimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për Shtetet e Bashkuara për miratimin e një pakoje të ndihmave ushtarake me vlerë të 250 milionë dollarëve, ku përfshihet edhe municioni për sistemet e mbrojtjes ajrore.