Raportohet për gjashtë të vrarë e zgjerim të zonës së kontrollit nga Izraeli në Gaza - NACIONALE

Raportohet për gjashtë të vrarë e zgjerim të zonës së kontrollit nga Izraeli në Gaza

4 javë më parë

nga NACIONALE

Sulmet izraelite lanë gjashtë të vrarë, përfshirë një fëmijë, në Rripin e Gazës të hënën, thanë zyrtarët shëndetësorë atje, përderisa ushtria izraelite e zgjeroi zonën që e ka nën kontroll, sipas banorëve.

Këto raporte vijnë në kohën kur ndërmjetësit në Kajro thanë se po i vazhdonin përpjekjet për të shpëtuar një marrëveshje të brishtë armëpushimi, e ndërmjetësuar nga ShBA-ja dhe që u ka dhënë fund përleshjeve të mëdha, por ka lënë shumë pika të pazgjidhura, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Mjekët thanë se dy njerëz u vranë, kur një sulm ajror ndodhi afër një kampi me tenda në zonën Mawasi të qytetit Khan Younis, në pjesën jugore të enklavës.

Në kampin e refugjatëve Jabalia, në pjesën veriore të Gazës, mjekët thanë se tre palestinezë, përfshirë një djalë 8-vjeçar, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga një sulm izraelit që ndodhi afër një grupi njerëzisht që po hapnin një bunar.

Më vonë të hënën, një sulm ajror izraelit afër spitalit “Al-Aksa” në Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, la të vrarë një person dhe plagosi tre të tjerë, thanë mjekët, duke e çuar në gjashtë numrin e të vrarëve të hënën.

Ushtria izraelite nuk i komentoi menjëherë raportimet për sulme ose lëvizjen e shenjave nga forcat e saj për ta zgjeruar “Zonën e Verdhë” që e ka nën kontroll.

Izraeli dhe Hamasi e kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit. Nga sulmet izraelite janë vrarë më shumë se 950 njerëz që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ndërsa Izraeli thotë se katër ushtarë i janë vrarë nga militantët gjatë periudhës së njëjtë./Nacionale

Lajme të ngjashme