Raportohet për 65 të vrarë në 24 orët e fundit në Gaza nga sulmet izraelite
Autoritetet shëndetësore palestineze thanë se të paktën 65 njerëz u vranë në Gaza gjatë 24 orëve të kaluara nga sulmet izraelite, ndërsa Egjipti paraqiti një propozim të ri me qëllim të rikthimit të armëpushimit në enklavën palestineze.
Propozimi i bërë javën e kaluar vjen pas eskalimit të dhunës, pasi Izraeli i rinisi operacionet ajrore e tokësore kundër Hamasit të martën e kaluar, duke i dhënë fund praktikisht një periudhe dymujore të qetësisë relative, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se Izraeli ka vrarë gati 700 palestinezë që nga rifillimi i sulmeve, përfshirë të paktën 400 gra e fëmijë.
Grupi islamist Hamas tha se disa prej zyrtarëve të tij të lartë politikë e të sigurisë gjithashtu janë vrarë. Hamasi është ende duke mbajtur 59 pengje, ndërsa 24 prej tyre besohet se janë ende gjallë.
Sipas zyrtarëve palestinezë, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga gati 18 muaj luftë të dielën shkoi në më shumë se 50 mijë.
Disa burime të sigurisë kanë thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Hamasi janë pajtuar me propozimin e Egjiptit për rikthimin e armëpushimit, por Izraeli nuk është përgjigjur ende.
Një zyrtar i Hamasit nuk e konfirmoi ofertën e propozuar, por agjencisë “Reuters” i tha se “disa propozime janë duke u diskutuar me ndërmjetësit për ta shuar dallimin dhe për t’i vazhduar bisedimet për arritjen e gjuhës së përbashkët që do ta hapte rrugën për fillimin e fazës së dytë të marrëveshjes”.
Çfarë përmban propozimi i Egjiptit për rikthimin e armëpushimit?