Egjipti ka bërë propozim të ri për rivendosjen e armëpushimit në Gaza, thonë burimet - NACIONALE

Egjipti ka bërë propozim të ri për rivendosjen e armëpushimit në Gaza, thonë burimet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Egjipti bëri një propozim të ri javën e kaluar me qëllim të rikthimit në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, i thanë të hënën agjencisë “Reuters” burimet e sigurisë.

Propozimi vjen pas eskalimit të dhunës, pasi Izraeli i rinisi operacionet ajrore e tokësore kundër Hamasit të martën e kaluar, praktikisht duke i dhënë fund një periudhe dymujore të qetësisë relative, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në planin e Egjiptit sugjerohet që Hamasi të lirojë nga pesë pengje izraelite për çdo javë, ndërsa Izraeli ta zbatojë fazën e dytë të armëpushimit pas javës së parë, thanë burimet.

Më tej, burimet shtuan se Shtetet e Bashkuara dhe Hamasi janë pajtuar me propozimin, por Izraeli nuk është përgjigjur ende.

Sipas burimeve, në propozimin e Egjiptit përfshihet edhe një afat për lirimin e të gjitha pengjeve në këmbim të një afati për tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, të mbështetur nga garancitë amerikane.

Hamasi e ka akuzuar Izraelin për shkeljen e marrëveshjes së janarit për armëpushim, por ka thënë se ende është i gatshëm për të negociuar një armëpushim dhe se ishte duke i analizuar propozimet e emisarit të posaçëm të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff./Nacionale

Lajme të ngjashme