Raportohet për 18 të vrarë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Raportohet për 18 të vrarë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Së paku 18 persona u vranë në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, pas një sulmi ajror për të cilin ushtria izraelite pretendoi se kishte lënë të vrarë një udhëheqës lokal të Hamasit.

Një burim brenda shërbimeve palestineze të sigurisë i tha agjencisë së lajmeve AFP se ky sulm ishte më vdekjeprurësi në Bregun Perëndimor që nga viti 2000, raporton gazeta "The Guardian".

Një aktivist në atë zonë i tha AFP-së se sulmi izraelit “goditi një kafene në një ndërtesë 4-katëshe”, duke shtuar se kishte “shumë viktima në spital”.

Ushtria izraelite e konfirmoi sulmin në zonën Tulkarm, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, duke e përshkruar atë si operacion të përbashkët të kryer nga shërbimi për siguri të brendshme, Shin Bet, dhe forca ajrore, sipas një deklarate të shkurtër të ushtrisë.

Më vonë, ushtria izraelite tha se përmes këtij sulmi ishin vrarë një udhëheqës i Hamasit, Zahi Yaser Abd al-Razeq Oufi, dhe “operativë” të tjerë që gjithashtu ishin aktivë në Hamas.

Ushtria e akuzoi Oufi-n për pjesëmarrje në shumë sulme në Bregun Perëndimor dhe tha se ai ishte në proces të planifikimit të një sulmi tjetër.

Hamasi e dënoi sulmin ajror, duke e quajtur “sulm mizor” që do të dëshmohet si “eskalim i rrezikshëm”.

Dhuna në Bregun Perëndimor është shtuar gjatë luftës në Gaza. Që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar, trupat ose kolonët izraelitë kanë vrarë të paktën 701 palestinezë në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Në anën tjetër, të paktën 24 izraelitë, përfshirë disa pjesëtarë të forcave të sigurisë, janë vrarë nga sulmet e militantëve palestinezë gjatë periudhës së njëjtë, thonë zyrtarët izraelitë./Nacionale

Lajme të ngjashme