Qyteti holandez bëhet i pari në botë që ndalon reklamat e mishit në publik
Në një përpjekje për të reduktuar konsumin dhe emetimet e gazrave serrë, një qytet holandez do të bëhet i pari në botë që do të ndalojë reklamat e mishit nga hapësirat publike.
Haarlem, i cili shtrihet në perëndim të Amsterdamit dhe ka një popullsi prej rreth 160,000 banorësh, do të zbatojë ndalimin nga viti 2024 pasi shtimit të mishit në listën e produkteve që mendohet se kontribuojnë në krizën klimatike.
Sipas The Guardian, reklamat nuk do të lejohen në autobusë, strehimore apo ekrane në hapësirat publike të Haarlemit. Megjithatë ky vendim ka nxitur ankesa nga sektori i mishit se, “komuna po shkon shumë larg duke u thënë njerëzve se çfarë është më e mira për ta.”
Studimet e fundit sugjerojnë se prodhimi global i ushqimit është përgjegjës për një të tretën e të gjitha emetimeve të ngrohjes së planetit, me përdorimin e kafshëve për mish që përbën dyfishin e ndotjes sesa prodhimi i ushqimeve me bazë bimore.
Pyjet që thithin dioksidin e karbonit priten për kullotjen e kafshëve, ndërsa plehrat që përdoren për rritjen e ushqimit të tyre janë të pasura me azot, i cili mund të kontribuojë në ndotjen e ajrit dhe ujit, ndryshimet klimatike dhe varfërimin e ozonit. Blegtoria prodhon gjithashtu sasi të mëdha metani, një gaz i fuqishëm serrë.
Ziggy Klazes, një këshilltare nga partia GroenLinks, e cila hartoi mocionin për ndalimin e reklamimit të mishit, tha se ajo nuk e dinte se qyteti do të ishte i pari në botë që do të zbatonte një politikë të tillë kur e propozoi atë.
Ndalimi gjithashtu mbulon fluturimet për pushime, karburantet fosile dhe makinat që punojnë me lënë djegëse fosile.
Ky vendim ka sjellë disa kundërshtime brenda këshillit të Haarlem, me kritikët që argumentojnë se kufizon lirinë e shprehjes.
Ndërkohë, një hulumtim nga Greenpeace, sugjeron që për të përmbushur objektivin e BE-së për emetimet neto zero deri në vitin 2050, konsumi i mishit duhet të reduktohet në 24 kg për person në vit, krahasuar me mesataren aktuale prej 82 kg, ose 75.8 kg në Holandë - eksportuesi më i madh i mishit në BE.

