Qëndrimi i fëmijëve para ekranit, zbulohet mënyra 'e thjeshtë' e reduktimit të efekteve të dëmshme
Duke qenë se koha e gjatë e fëmijëve e kaluar para ekraneve të tabletëve, telefonave, kompjuterëve dhe televizorit është duke sjellë çdo ditë e më shumë shqetësim të prindërit, disa studiues japonez kanë zbuluar një “mënyrë të thjeshtë” të reduktimit të efekteve të dëmshme që sjell ky veprim.
Sipas The Independent, hulumtimet e fundit kanë treguar se një kohë më e gjatë e qëndrimit para ekranit në moshën 2-vjeçare është e lidhur me komunikim dhe aftësi praktike më të dobëta në moshën katër vjeçare.
Studiuesit nga Universiteti Osaka në Japoni, e kanë parë inkurajimin e fëmijëve për t’u përfshirë më shumë në lojërat në natyrë si një “mënyrë të thjeshtë” për reduktimin e këtyre efekteve negative që sjell ekrani.
Studimi i tyre i ri, ka hulumtuar 885 fëmijë midis moshës 18 muajsh dhe katër vjeç, ku është vlerësuar lidhja midis tre faktorëve kryesorë - koha mesatare ditore e e kaluar para ekranit në moshën dy vjeç, sasia e lojës në natyrë në moshën dy vjeç e tetë muaj si dhe rezultatet neurozhvillimore.
Në rezultatet e analizuara janë përfshirë në mënyrë specifike efektet në komunikim, aftësitë e jetesës së përditshme dhe socializimi në moshën katër vjeçare, të cilat janë matur nga instrumenti i standardizuar i vlerësimit të Sjelljes Përshtatëse Vineland Scale-II.
“Megjithëse aftësitë e komunikimit dhe të jetesës së përditshme ishin më të këqija te fëmijët 4-vjeçarë që kishin pasur më shumë kohë para ekranit në moshën 2-vjeçare, koha e lojës në natyrë kishte efekte shumë të ndryshme në këto dy rezultate neurozhvillimore,”- ka shpejguar bashkëautori i studimit Kenji J Tsuchiya, duke shtuar se ata janë befasuar kur kanë kuptuar se loja në natyrë, nuk kishte ndryshuar efektet negative të kohës së ekranit në komunikim, por ka pasur një efekt në aftësitë e jetës së përditshme.
Sipas këtij hulumtimi, është zbuluar se rreth një e pesta e efekteve të kohës së kaluar para ekranit janë zbutur nga loja në natyrë. Kjo sjellë në përfundim se rritja e kohës së kaluar në natyrë, mund të ulë efektet negative të kohës së kaluar para ekranit në aftësitë e jetës së përditshme me pothuajse 20%.
Shkencëtarët po ashtu kanë vënë re se socializimi ishte më i mirë tek fëmijët katër vjeç, të cilët kanë kaluar më shumë kohë duke luajtur jashtë në moshën dy vjeç e tetë muaj.

