Putini shpall fitoren në provincën Luhansk të Ukrainës - NACIONALE

Putini shpall fitoren në provincën Luhansk të Ukrainës

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një ditë pas tërheqjes së forcave ukrainase, presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur fitoren në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu i raportoi Putinit në një takim televiziv të hënën se forcat ruse kishin marrë kontrollin e Luhanskut, i cili së bashku me provincën fqinje Donetsk përbën qendrën industriale të Ukrainës, Donbas.

Shoigu i tha Putinit se "operacioni" përfundoi të dielën pasi trupat ruse kanë pushtuar qytetin e Lysychansk, bastioni i fundit i forcave ukrainase në Luhansk.

Ndërsa, nga ana tjetër Putin tha se njësitë ushtarake "që morën pjesë në armiqësi aktive dhe arritën sukses, fitore në Luhansk, duhet të pushojnë dhe të rrisin aftësitë e tyre luftarake".

Deklarata e Putinit erdhi pasi forcat ruse u përpoqën të shtynin ofensivën e tyre më thellë në Ukrainën lindore pasi ushtria ukrainase konfirmoi të dielën se forcat e saj ishin tërhequr nga Lysychansk për të shmangur rrethimin.

"Kishte një rrezik të rrethimit të Lysychansk," ka thënë guverantori i qytetit, Haidai për Associated Press, duke shtuar se trupat ukrainase mund të kishin rezistuar edhe për disa javë të tjera, por potencialisht mund të paguhej një çmim shumë i lartë.

“Ne ia dolëm të bënim tërheqje të centralizuar dhe të evakuonim të gjithë të lënduarit”, tha Haidai. “Ne i morëm mbrapsht të gjitha pajisjet, kështu që nga kjo pikë tërheqja u organizua mirë”.

Pas tërheqjes, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat ruse tani po përqendronin përpjekjet e tyre në shtyrjen drejt linjës Siversk, Fedorivka dhe Bakhmut në rajonin e Donetsk, gjysma e së cilit kontrollohet nga Rusia. Ndërkohë, edhe ushtria ruse ka intensifikuar granatimet e saj ndaj bastioneve kryesore ukrainase të Slovianskut dhe Kramatorskut, më thellë në Donetsk.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka bërë pushtimin e të gjithë Donbasit një objektiv kyç, ndërsa separatistët e mbështetur nga Moska në Donbas kanë luftuar me forcat ukrainase që nga viti 2014 kur vendet shpallën pavarësinë nga Kievi pas aneksimit të Krimesë. Kujtojmë se një ditë para pushtimit Rusia i ka njohur zyrtarisht republikat e vetëshpallura Luhansk dhe Donetsk si shtete të pavarura.

Lajme të ngjashme