Putini paralajmëron se konflikti Izrael - Hamas mund të përhapet përtej Lindjes së Mesme
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se konflikti mes Izraelit dhe Hamasit mund të përhapet edhe përtej Lindjes së Mesme dhe se është gabim që gratë, fëmijët e të moshuarit e pafajshëm në Gaza po ndëshkohen për krimet e njerëzve të tjerë.
“Detyra jonë sot, detyra jonë kryesore, është që t’i ndalim gjakderdhjen dhe dhunën”- tha presidenti rus në një takim me udhëheqës fetarë rusë të feve të ndryshme, sipas një transkriptimi të Kremlinit, raporton agjencia “Reuters”.
“Në të kundërtën, eskalimi i mëtejmë është i mbushur me pasoja të rënda, tepër të rrezikshme e destruktive dhe jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme. Mund të përhapet shumë përtej kufijve të Lindjes së Mesme”- shtoi kreu i Federatës Ruse.
Lufta e Gazës tashmë ka nxitur konflikt përtej territoreve palestineze. Aeroplanët luftarakë izraelitë goditën infrastrukturë ushtarake në Siri të mërkurën si kundërpërgjigje ndaj raketave të hedhura nga Siria, aleate e Iranit. Izraeli i ka vënë në shënjestër edhe aeroportin e Alepos në Siri dhe Hezbollahun në Liban.
Irani, armik i Izraelit, është munduar me dekada që të sigurojë pozitë mbizotëruese në rajon dhe u ofron mbështetje grupeve të armatosura në Siri, Liban e në shtete të tjera, por edhe Hamasit. Irani e ka paralajmëruar Izraelin që t’i ndërpresë sulmet në Gaza.
Përderisa numri i të vdekurve në Gaza po rritet, palestinezët po i varrosin trupat e paidentifikuar në varre masive, duke u vënë numra në vend të emrave, thonë banorët. Disa familje po përdorin byzylykë dore me shpresë se do t’i gjejnë të dashurit e tyre, nëse ata vriten.
