Putini e paralajmëron Izraelin që të mos përdorë taktika rrethimi si të nazistëve - NACIONALE

Putini e paralajmëron Izraelin që të mos përdorë taktika rrethimi si të nazistëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e paralajmëroi Izraelin të premten kundër rrethimit të Gazës në mënyrën e njëjtë si rrethimi i Leningradit nga nazistët gjermanë, duke thënë se një ofensivë tokësore do të çonte në numër “absolutisht të papranueshëm” të viktimave civile.

Putini tha se Izraeli ka qenë subjekt i “një sulmi të pashembullt sa i përket mizorisë së tij” nga militantët e Hamasit, por se ishte duke u kundërpërgjigjur edhe vetë me metoda mizore, raporton agjencia “Reuters”.

Ai shtoi se ka pasur thirrje edhe në Shtete të Bashkuara për një bllokadë të Rripit të Gazës të ngjashëm me “rrethimin e Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

“Nga pikëpamja ime, kjo është e papranueshme. Më shumë se dy milionë njerëz jetojnë atje. Larg prej të gjithë atyre e përkrahin Hamasin, meqë ra fjala, larg prej të gjithëve, por të gjithë detyrohen që të vuajnë, përfshirë gratë dhe fëmijët. Natyrisht se është vështirë për këdo që të pajtohet me këtë”- tha presidenti rus.

Kritika e tij u bë edhe më thumbuese përmes përmendjes së rrethimit të Leningradit në periudhën 1941 – 1944 dhe përmes krahasimit të nënkuptueshëm mes Izraelit dhe Gjermanisë së Hitlerit dhe ky krahasim ka potencial për të shkaktuar fyerje të thellë në Izrael.

Sidoqoftë, Putini tha se Izraeli ka të drejtë që ta mbrojë veten. Ai foli pas thirrjes së ushtrisë izraelite që të gjithë civilët në qytetin Gaza, më shumë se një milion njerëz, të zhvendosen brenda 24 orëve në jug para një ofensive të pritshme tokësore si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit.

Putini tha se një sulm tokësor do të çonte në “pasoja serioze për të gjitha palët”. “Dhe, më e rëndësishmja, viktimat civile do të jenë absolutisht të papranueshme. Tani gjëja kryesore është që të ndalet gjakderdhja”- shtoi kreu i Kremlinit.

Mijëra civilë janë vrarë në luftën e Ukrainës, të cilën Putini e nisi në shkurtin e vitit të kaluar. Në këtë luftë ka pasur edhe rrethime të qyteteve ukrainase, si Mariupoli dhe Bakhmuti.

Lajme të ngjashme