Putini del kundër operacionit tokësor të Izraelit në Gaza
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka bërë thirrje Izraelit që të mos nis operacion tokësor në Gaza.
Sipas kreut të Kremlinit, një operacion i tillë do të rezultonte në nivel “absolutisht të papranueshëm” të viktimave civile, raporton televizioni “Sky News”.
Presidenti rus shtoi se përdorimi i artilerisë së rëndë në zona banimi është “plot me pasoja serioze për të gjitha palët”.
“Dhe më e rëndësishmja, viktimat civile do të jenë absolutisht të papranueshme. Tani, gjëja kryesore është që të ndalet gjakderdhja”- tha më tej ai.
Vetë Putini është ngatërruar në një luftë në Ukrainë dhe është akuzuar vazhdimisht se ka vënë në shënjestër civilë, edhe pse Moska i ka mohuar akuzat.
Para disa ditëve, ai tha se politika e Shteteve të Bashkuara në Lindje të Mesme ka dështuar, duke e përmendur si shembull shpërthimin e dhunës javën e kaluar mes Hamasit e Izraelit.
Të mërkurën, ai i akuzoi Shtetet e Bashkuara se po e ndezin situatën në Lindje të Mesme përmes dërgimit të një grupi sulmues me aeroplanmbajtëse në Mesdheun Lindor, jo larg Izraelit.
