Putini e Orbani takohen në Kinë, i riafirmojnë marrëdhëniet Rusi – Hungari - NACIONALE

Putini e Orbani takohen në Kinë, i riafirmojnë marrëdhëniet Rusi – Hungari

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe aleati i tij më i ngushtë në mesin e udhëheqësve evropianë, kryeministri Viktor Orban i Hungarisë, të martën e ripohuan zotimin e tyre për marrëdhëniet mes dy shteteve në kohën e tensioneve ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë.

Dy udhëheqësit u takuan në rezidencën qeveritare për mysafirë, ku Putini ishte duke qëndruar para fillimit të një forumi ndërkombëtar për Nismën “Rripi dhe Rruga” të Kinës, raporton agjencia “Reuters”.

“Pavarësisht nga fakti se në kushtet e sotme gjeopolitike, mundësitë për mbajtjen e kontakteve dhe zhvillimin e marrëdhënieve janë të kufizuara, sidoqoftë, mund të shkaktojë vetëm kënaqësi që marrëdhëniet tona me shumë shtete evropiane janë të mbajtura dhe të zhvilluara. Njëri nga këto shtete është Hungaria”- i tha Putini Orbanit.

Hungaria mban lidhje më të ngushta me Rusinë se shtetet e tjera të BE-së dhe shihet si kundërshtare e mundshme e një vendimi që pritet të shqyrtohet në dhjetor rreth hapjes së bisedimeve të BE-së me Ukrainën për anëtarësimin e këtij shteti në bllokun evropian. Për këtë vendim kërkohet mbështetje nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.

Shefi i zyrës për shtyp i Orbanit, Bertalan Havasi, në një përgjigje me shkrim për agjencinë “Reuters” tha se Putini e Orbani kishin diskutuar për dërgesat e gazit e naftës si dhe për çështjet e energjisë bërthamore.

Sipas një kontrate të vitit 2014, që ishte dhuruar pa tender, gjiganti rus i energjisë, “Rosatom”, është duke ndërtuar njër central të energjisë bërthamore në Hungari.

Havasi tha se Orbani kishte theksuar se ishte thelbësore për Evropën, përfshirë Hungarinë, që sanksionet ndaj Rusisë dhe luftimet në Ukrainë të marrin fund dhe lëvizja e refugjatëve të ndërpritet.

Para këtij takimi, Putini dhe Orbani ishin takuar për herë të fundit fizikisht më 1 shkurt 2022 në Moskë. Takimi kishte zgjatur disa orë dhe ishte zhvilluar vetëm tri javë para se Rusia ta fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës.

Lajme të ngjashme