Putini e feston sot ditëlindjen, rraset më thellë në pleqëri
“Zot, ruaje Carin”, ishte njëri nga urimet e para publike për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili të hënën mbush 72 vjet jetë, duke qenë udhëheqës i shtetit më të madh në botë për gati një çerek shekulli – herë si president, herë si kryeministër.
Urimi i erdhi nga ideologu ultra-nacionalist rus, Alexander Dugin, i cili shkroi në kanalin e tij në “Telegram” disa minuta pas mesnatës, raporton agjencia “Reuters”.
Dugini, 62 vjeç, për një kohë të gjatë e ka mbrojtur bashkimin e territoreve rusishtfolëse dhe të territoreve të tjera në një perandori të re ruse, ku ai dëshiron që të përfshihet edhe Ukraina. Vajza e Duginit u vra më 2022 në një veturë bombë të dyshimtë.
Putini, që më 2022 dha urdhër për pushtimin e Ukrainës, fitoi zgjedhje rekorde në mars të këtij viti. Mandati i tij i ri 6-vjeçar, nëse çohet deri në fund, do ta bënte atë udhëheqësin me pushtetin më të gjatë në Rusi për më shumë se 200 vjet, kur carët dhe perandoreshat e udhëhiqnin vendin.
Fitorja e Putinit e betonoi pushtetin edhe ashtu të fortë të Putinit dhe, sipas tij, dëshmoi që Moska me të drejtë është pozicionuar kundër Perëndimit dhe për dërgimin e trupave në Ukrainë.
Putinit i erdhi një urim për ditëlindje edhe nga kreu i Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov. “Sot, miq, është ditëlindja e udhëheqësit tonë kombëtar. Kjo është ditë domethënëse për tërë Atdheun tonë” – shkroi ai të hënën në mesnatë.
Putini e përshkruan Putinin si autokrat dhe vrasës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zgjedhjet e marsit në Rusi i ka cilësuar jolegjitime.