Putini akuzon Ukrainën për "akt terrorist" në një fshat rus - NACIONALE

Putini akuzon Ukrainën për "akt terrorist" në një fshat rus

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Duke e quajtur një “akt terrorist”, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se një grup sabotues ukrainas ka hyrë në një rajon kufitar rus të enjten dhe ka hapur zjarr ndaj civilëve.

Duke folur në televizionin shtetëror rus, presidenti Putin, është shprehur duke thënë se, "sot ata kryen një tjetër akt terrorist, një tjetër krim, depërtuan në zonën kufitare dhe hapën zjarr ndaj civilëve".

Më herët gjatë ditës edhe guvernatori i rajonit Bryansk, ka thënë se "diversantë nga Ukraina" kishin qëlluar mbi një makinë civile në Lyubechane, një fshat kufitar, duke vrarë një person dhe duke plagosur një fëmijë.

Këto pretendime janë mohuar fuqishëm nga Kievi, ndërsa incidenti i supozuar deri më tani nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ukraina i ka cilësuar pretendimet si “provokim klasik i qëllimshëm”, me Mykhaylo Podolyak, këshilltar i presidentit Zelensky, i cila ka thënë se “Rusia do të trembë popullin e saj për të justifikuar sulmin ndaj Ukrainës”.

Kujtojmë se edhe më parë, Rusia ka raportuar disa herë për sulme me raketa dhe dronë të Ukrainës në zonat kufitare ruse, duke përfshirë rajonin Bryansk. Por asnjëherë nuk ka pasur raporte të konfirmuara për infiltrimin e forcave tokësore të Ukrainës në Rusi.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, ka komentuar rastin duke thënë se janë duke u ndërmarrë hapa për “shkatërrimin e këtyre terroristëve”.

Lajme të ngjashme