"Një i vrarë e disa pengje": Detaje për pretendimin rus se “sabotuesit ukrainas” kanë hyrë në Rusi
Autoritetet ruse dhe disa agjenci të lajmeve në Rusi kanë pretenduar se një grup i “sabotuesve ukrainas” e kanë kaluar kufirin në pjesën perëndimore të Rusisë dhe kanë sulmuar disa fshatra.
Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) tha se luftimet me njësitin “sabotues” janë duke u zhvilluar në rajonin Bryansk, raporton agjencia “Associated Press”.
Nuk pati komente të menjëhershme nga zyrtarët ukrainas dhe rrethanat e sakta të incidentit qenë të paqarta.
Nëse vërtetohet, ky rast do të ishte një shenjë tjetër, pas sulmeve me dronë këtë javë, se Kievi po i zhvendos luftimet në territore ruse, duke i shpërfaqur dobësitë e Rusisë në mbrojtje dhe duke e turpëruar Kremlinin e duke u shkaktuar shqetësim civilëve rusë.
Agjencia “Tass”, duke e cituar sektorin e sundimit të ligjit, raportoi më herët se “sabotuesit” ishin duke mbajtur peng deri në gjashtë persona. Guvernatori rajonal tha se grupi ka shtënë me armë në drejtim të një veture, duke vrarë një person e duke plagosur një fëmijë 10-vjeçar.
Dronët, për të cilët Kremlini tha se ishin lëshuar nga Ukraina, u futën thellë në territorin rus të martën, përfshirë një që shkoi deri 100 kilometra larg Moskës.
Duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të sigurisë, agjencia “Tass” raportoi se dy fshatra në rajonin Bryansk – Sushany dhe Lyubechane – janë nën sulm nga “disa dhjetëra luftëtarë të armatosur”.
Alexander Bogomaz, guvernator i rajonit Bruansk, i cili kufizohet me Ukrainën, tha se grupi hapi zjarr në drejtim të një veture në Lyubechane, duke vrarë një burrë dhe duke plagosur një fëmijë. Ai tha, gjithashtu, se një dron ukrainas goditi një shtëpi në Sushany, duke ia vënë flakën.
