Putin: Po, ne po sulmojmë termocentralet e Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se ushtria do të vazhdojë të sulmojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, pavarësisht një valë kritikash globale për sulmet që lanë miliona pa energji elektrike dhe ujë në fillim të dimrit.
"Ka shumë zhurmë për goditjet tona në infrastrukturën energjetike të një vendi fqinj. Po, po e bëjmë. Por kush e filloi i pari?" tha Putin në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila u mbajt sot në Kremlin. Ai pohoi se "kritikat nuk do të ndërhyjnë në misionet luftarake".
“Ndërprerja e furnizimit me ujë në Donetsk është gjenocid”
Ai i përshkroi goditjet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës si një përgjigje ndaj shpërthimit në urën e Krimesë dhe sulmeve të tjera, duke akuzuar Kievin për hedhjen në erë të kabllove të transmetimit nga termocentrali bërthamor Kursk, por edhe për ndërprerjen e furnizimit me ujë në Donetsk.
"Ndërprerja e furnizimit me ujë të një qyteti me më shumë se një milion banorë është një akt gjenocidi," tha Putin, duke akuzuar Perëndimin për "heshtje totale" për këtë çështje. “Sapo ne marrim masa dhe bëjmë diçka si përgjigje, ka një zhurmë të menjëhershme”, tha presidenti rus.
Një numër zyrtarësh perëndimorë i kanë quajtur krime lufte sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. /Nacionale/