Putin kërcënon Perëndimin me pasoja katastrofike: Nuk po e ekzagjeroj - NACIONALE

Putin kërcënon Perëndimin me pasoja katastrofike: Nuk po e ekzagjeroj

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar për pasojat e mundshme "katastrofike" të sanksioneve perëndimore në tregun botëror të energjisë. “Zbatimi i mëtejshëm i politikës së sanksioneve, pa ekzagjerim, mund të shkaktojë pasoja edhe më të rënda dhe madje katastrofike në tregun botëror të energjisë”, paralajmëroi Putin.

“Sanksionet ndaj Rusisë shkaktojnë shumë më tepër dëm për vendet që i përdorin ato”, tha ai, gjë që e ka përsëritur shumë herë deri më tani, duke theksuar se çmimet e energjisë në vendet perëndimore kanë shpërthyer.

Një valë e paprecedentë sanksionesh perëndimore

Ofensiva që Moska filloi në Ukrainë në fund të shkurtit shkaktoi një valë të paprecedentë sanksionesh perëndimore, duke përfshirë një embargo ndaj importit të naftës ruse të vendosur nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Duke iu përgjigjur sanksioneve perëndimore, Moska javët e fundit ka shkurtuar ndjeshëm furnizimet me gaz për evropianët që mbeten të varur nga hidrokarburet ruse, pavarësisht përpjekjeve të fundit për të diversifikuar furnizuesit e tyre.

Kështu, tranziti i gazit rus përmes Ukrainës në qershor ishte në një nivel historikisht të ulët. Kësaj i shtohet edhe shqetësimi në rritje i Gjermanisë, e cila të hënën mbyll tërësisht gazsjellësin North Stream 1 për mirëmbajtje.

Rezultati i gjithë kësaj është një kërcim i çmimeve të energjisë, i cili nxit rritjen e inflacionit dhe rrezikun e një ngadalësimi afatgjatë të konsumit dhe rritjes ekonomike. /Nacionale/

Lajme të ngjashme