Pushteti në Poloni e humb shumicën, pritet që qeveria të formohet nga pro-evropiani Tusk - NACIONALE

Pushteti në Poloni e humb shumicën, pritet që qeveria të formohet nga pro-evropiani Tusk

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia në pushtet në Poloni, Ligj dhe Drejtësi (PiS), ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës, por nuk e ka siguruar shumicën, sipas rezultateve zyrtare të publikuara të martën, duke konfirmuar se opozita liberale e pro BE-së është në rrugë të mirë për ta formuar qeverinë.

Sipas rezultateve zyrtare pas numërimit të 100 për qind të votave, partia nacionaliste e konservatore, PiS, ka marrë 35,38 për qind të votave, ndërsa Koalicioni Qytetar, bllok opozitar i udhëhequr nga pro-evropiani Donald Tusk, është në vendin e dytë me 30,7 për qind të votave, raporton agjencia “Reuters”.

Rruga e Tretë e ka zënë vendin e tretë me 14,4 për qind, ndërsa E Majta e Re është në vendin e katërt me 8,61 për qind të votave. E djathta ekstreme, Konfederata, ka marrë 7,16 për qind të votave.

Koalicioni Qytetar, Rruga e Tretë dhe E Majta e Re kanë thënë se janë të gatshëm për ta formuar qeverinë dhe se do t’i fillojnë bisedimet porsa të publikohen rezultatet zyrtare.

Presidenti Andrzej Duda, aleat i partisë PiS, kishte thënë para zgjedhjeve se do t’ia jepte mundësinë e parë për formimin e qeverisë partisë fituese, por ajo do të ketë vështirësi për të gjetur aleatë, sepse Konfederata pritet të ketë ulëse të pamjaftueshme për ta ndihmuar.

Koalicioni Qytetar dhe aleatët e tij pritet të fitojnë shumicë të pastër të ulëseve në Senat, sipas rezultateve zyrtare. Tri partitë opozitare kishin garuar me listë të përbashkët të kandidatëve për Senat.

Lajme të ngjashme