Zyrtarët polakë hedhin akuza të rënda ndaj Gjermanisë, tensionohen marrëdhëniet - NACIONALE

Zyrtarët polakë hedhin akuza të rënda ndaj Gjermanisë, tensionohen marrëdhëniet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në luftë për ta fituar mandatin e tretë të pashembullt në pushtet, qeveria nacionaliste polake e ka vënë në shënjestër fqinjen e rëndësishme – Gjermaninë – aleate e NATO-s dhe partnerja më e madhe tregtare e Polonisë.

Përballë garës së ngushtë të zgjedhjeve të 15 tetorit, udhëheqësit e partisë PiS në pushtet e kanë akuzuar Gjermaninë se po mundohet që t’i diktojë politikat qeveritare polake nga Berlini për shumë gjëra, nga migrimi te gazi, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo përplasje e ka tensionuar frontin gjerësisht të bashkuar të Evropës në përkrahje të Ukrainës kundër pushtimit rus, duke prishur një plan për ndërtimin e një qendre të përbashkët gjermano-polake për riparimin e tankeve, nga e cila do të përfitonte Kievi.

Udhëheqësia e partisë në pushtet në Poloni thotë se Gjermania është gjithashtu duke bërë komplot për ta rikthyer në pushtet kundërshtarin kryesor të saj në zgjedhje, ish-kryeministrin liberal, Donald Tusk.

Partia në pushtet e ka shfrytëzuar mosbesimin ndaj Gjermanisë, që ende mbetet i lartë në një pjesë të elektoratit, sidomos te konservatorët e moshuar, që e mbajnë në mend shkatërrimin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“A e dini se ku mund ta lexoni programin (e fushatës së opozitës)? Në gazeta gjermane”- tha gjatë një tubimi të fushatës kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.

Partia e tij e paraqet Tusk-un si kukull gjermane dhe si “bashkëshort politik” të ish-kancelares Angela Merkel. Tusk-u ka thënë se gjyshi i tij ishte rekrutuar me forcë në ushtrinë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore para se të ikte për t’iu bashkuar aleatëve. Në një vide të fushatës paraqitet një tallje edhe me kancelarin e tanishëm të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Përpalsja tashmë i ka prekur përpjekjet për ta ndihmuar Ukrainën. Në prill, ministrat e Mbrojtjes të Gjermanisë dhe Polonisë, me buzëqeshje e përqafim solidarizues, kishin njoftuar për krijimin e një qendre të përbashkët në Poloni për riparimin e tankeve gjermane, “Leopard”, që do të ishin dëmtuar gjatë luftimeve në Ukrainë.

Megjithatë, marrëveshja dështoi shpejt. Në një mosmarrëveshje tjetër, Varshava i kishte rezistuar një oferte të Gjermanisë për të vendosur njësi të sistemit kundërajror “Patriot” në Poloni para se të pajtohej për këtë në fund.

Përderisa lidhjet mes Polonisë dhe Gjermanisë kanë qenë të ftohta që nga ardhja në pushtet e partisë PiS më 2015, polakët tani mendojnë se ato janë përkeqësuar. Sipas një ankete gjermane-polake të bërë këtë vit, vetëm 47 për qind e polakëve mendojnë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira, dukshëm më pak se 72 për qind më 2020.

Shumë polakë, përfshirë 56 për qind e pjesëmarrësve në anketë, e kanë përshtypjen se Gjermania nuk ka bërë mjaftueshëm për dëmshpërblimet rreth dëmeve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Partia në pushtet i ka bërë thirrje Gjermanisë që të paguajë mbi një trilion euro dëmshpërblim, por Berlini e ka refuzuar këtë kërkesë.

Përktheu: Nasuf Abdyli/Nacionale

Lajme të ngjashme