Publikohen deklarimet tatimore të Trump, hedhin dritë të re mbi financat e ish-presidentit - NACIONALE

Publikohen deklarimet tatimore të Trump, hedhin dritë të re mbi financat e ish-presidentit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Të premten janë publikuar deklarimet tatimore federale të ish-presidentit Donald Trump për gjashtë vjet, nga të cilat tregohet se ai ka paguar shumë pak taksa federale mbi të ardhurat vitin e parë dhe të fundit të presidencës së tij, duke pretenduar humbje të mëdha që kanë ndihmuar në kufizimin e faturës së tij tatimoree.

Këto deklarime të mbajtura prej kohësh në fshehtësi janë publikuar nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve, kulmi i një beteje mbi zbulimin e tyre që shkoi në Gjykatën e Lartë. Komisioni ka konfirmuar një raport të lëshuar nga Komiteti i Përbashkët për Tatimet se Trump, ka pretenduar humbje të mëdha para dhe gjatë presidencës së tij, të cilat i ka përdorur për të ulur apo eliminuar barrën e tij tatimore.

Sipas CNN, një nga deklaratat tregon se ai ka pretenduar një humbje prej 105 milionë dollarësh në 2015 dhe një tjetër prej 73 milionë dollarësh në 2016.

Mijëra faqe dokumentesh nga deklarimet e taksave federale personale dhe të biznesit të ish-presidentit – ku përfshihen vitet 2015 deri në 2020 – ofrojnë një rrjet kompleks të dhënash të papërpunuara për financat e Trump, duke ofruar shumë pyetje në lidhje me pasurinë dhe të ardhurat e tij që mund të ndiqen të dyja nga auditorët dhe kundërshtarët politikë të Trump.

Këto deklarime janë marrë nga komiteti i drejtuar nga demokratët vetëm disa javë më parë pas një beteje të stërzgjatur ligjore. Ndërsa, javën e kaluar ky komitet ka votuar për publikimin e tyre, që ndodhi sot.

Lëshimi i deklarimeve tatimore pason një kërkim të gjatë për dokumente që zakonisht ishin bërë publike vullnetarisht nga presidentët e kaluar të ShBA-së. Por, Trump dhe ekipi i tij ligjor vazhdimisht janë përpjekur t’i mbajnë të fshehta, duke argumentuar se Kongresi nuk kishte përdorur kurrë fuqitë e tij legjislative për të kërkuar deklarimet tatimore të një presidenti, të cilat Trump tha se mund të kishin implikime të gjera.

“Demokratët nuk duhet ta kishin bërë kurrë, Gjykata e Lartë nuk duhet ta kishte miratuar kurrë dhe do të çojë në gjëra të tmerrshme për kaq shumë njerëz”, është shprehur Trump.

Lajme të ngjashme