Protestuesit brenda parlamentit, mbi 120 të lënduar nga trazirat e fundit në Irak - NACIONALE

Protestuesit brenda parlamentit, mbi 120 të lënduar nga trazirat e fundit në Irak

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Mbështetësit e klerikut të fuqishëm irakian Muqtada al-Sadr kanë sulmuar parlamentin irakian për herë të dytë brenda javës.

Duke kundërshtuar emërimin e një kandidati rival pro-Iranit për kryeministër, protestuesit përsëri kanë shkelur zonën e sigurisë së lartë në Bagdad.

Bëhet e ditur se në këto trazira janë plagosur mbi 120 persona, nga ta 100 civilë dhe 25 personel sigurie.

Protesta është dënuar nga koalicioni më me ndikim në vend, ndërsa Korniza e Koordinimit të udhëhequr nga Shiitët u ka bërë thirrje irakenëve të organizojnë demonstrata "paqësore", duke shtuar se: "Shteti, organet e tij kushtetuese dhe paqja civile janë një vijë e kuqe".

Por sipas AFP-së, protestuesit janë zotuar të pushtojnë parlamentin deri sa të ketë një njoftim ndryshe.

Dhjetëra prej tyre kanë shkatërruar barrierat e betonit që mbronin zonën e sigurisë duke vrapuar brenda parlamentit ku kanë valëvitur flamujt irakianë dhe fotografitë e Sadr.

Ndërkohë, kryeministri aktual i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, ka udhëzuar forcat e sigurisë të "mbronin demonstruesit".

Ai u ka bërë thirrje protestuesve që "të ruajnë lëvizjen e tyre paqësore, të shmangin përshkallëzimin dhe të respektojnë direktivat e forcave të sigurisë, qëllimi i të cilave është mbrojtja e tyre dhe mbrojtja e institucioneve zyrtare".

Protesta e së shtunës pason një protestë të organizuar të mërkurën, kur qindra njerëz hynë në parlament.

Ndërsa, trazirat vijnë pas nëntë muajsh ngërç, ku mosmarrëveshjet midis fraksioneve të ndryshme politike të vendit kanë penguar krijimin e një qeverie të re.

Sadr, një klerik shiit që dëshiron t'i japë fund ndikimit të ShBA-së dhe Iranit mbi çështjet e brendshme të Irakut, pretendoi fitoren për lëvizjen e tij nacionaliste Saeroun pas zgjedhjeve të tetorit.

Por që atëherë nuk ka qenë e mundur të krijohet një koalicion qeverisës pasi ai ka refuzuar të punojë me rivalët. Sadr dhe mbështetësit e tij kanë kundërshtuar kandidaturën e Mohammed al-Sudani për kryeministër, pasi ata besojnë se ai është shumë i afërt me Iranin.

Lajme të ngjashme