Liz Truss përkrahet nga ish-rivali, favorite për postin e kryeministres së Britanisë - NACIONALE

Liz Truss përkrahet nga ish-rivali, favorite për postin e kryeministres së Britanisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Lizz Truss, e “betonoi” pozitën e udhëheqëses së garës për kryeministre të vendit, duke e fituar të shtunën përkrahjen e një ish-rivali me ndikim.

Tom Tugendhat, i cili ishte eliminuar në fazat e mëparshme të votimit nga deputetët e Partisë Konservatore, tha se zonja Truss i ka vendosmërinë dhe pasionin për t’u bërë kryeministre.

Përkrahja nga ish-rivali është goditje për ish-shefin e Thesarit, Rishi Sunak, që do të garojë kundër kryediplomates për postin e udhëheqësit të partisë në pushtet. Fituesi do të zgjidhet përmes votimit me postë nga rreth 180.000 anëtarët e Partisë Konservatore.

Sipas anketave, zonja Truss është në epërsi ndaj rivalit Sunak në mesin e anëtarëve të partisë, ndonëse ai ka më shumë përkrahje nga publiku i përgjithshëm, i cili nuk vendos në garë. Njoftimi për fituesin e garës do të jepet më 5 shtator dhe do të bëhet automatikisht kryeministër, duke e zëvendësuar kryeministrin aktual, Boris Johnson.

Tugendhat shkroi në gazetën “Times of London” se Truss e ka “përvojën e punëve të jashtme për të ndërtuar aleanca dhe për ta mbajtur të sigurt vendin tonë”.

Këtë javë, sekretarja e Jashtme e siguroi edhe përkrahjen e sekretarit të Mbrojtjes, Ben Wallace, i cili vlerësohet lart nga anëtarët e partisë për menaxhimin e reagimit të Mbretërisë së Bashkuar ndaj luftës në Ukrainë.

Wallace tha se përvoja ndërkombëtare e zonjës Truss si kryediplomate e Britanisë dhe përkushtimi për rritje të shpenzimeve ushtarake i japin asaj epërsi./Nacionale

Lajme të ngjashme